E diel, 7 Shtator, 2025

Shokon Edi Rama: Është e vërtetë se Trumpi shpëtoi Shqipërinë nga lufta me Azerbaixhanin*

SatirëShokon Edi Rama: Është e vërtetë se Trumpi shpëtoi Shqipërinë nga lufta me Azerbaixhanin*

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se do ta nominojë presidentin amerikan Donald Trump për çmimin Nobel për Paqe pas shpëtimit që ky i fundit i bëri Shqipërisë në luftën kundër Azerbaixhanit.

Kryeministri Rama duket se ka vendosur që të ndjekë të njëjtin kurs veprimi si presidentja Vjosa Osmani në lidhje me fjalimet e presidentit amerikan Donald Trump në kuadër të fushtatës për të fituar çmimin Nobel për Paqe.

Edhe Rama vendosi që ta shtynte përpara këtë agjendë, duke mos kundërshtuar pohimin e fundit (që u quajt dashakeqësisht si huqje nga media të ndryshme) të presidentit amerikan kur tha se e kishte shpëtuar Shqipërinë nga lufta me Azerbaixhanin.

“Kush jemi ne ore të korrigjojmë presidentin e ShBA-ve? Nëse ai ka thënë se e ka ndaluar luftën mes Azerbaixhanit dhe Shqipërisë, atëherë kjo është e vërteta këtej e tutje. Mos ka menduar për Armeninë? Jo ore, ajo mes Armenisë dhe Azerbaixhanit ishte tjetër. Pse nuk gëzoheni njëherë ju gazetarët e të thoni shyqyr që presidenti i Amerikës e zuri në gojë Shqipërinë tonë të vogël?!” – u shpreh Rama i irrituar ndaj gazetarëve.

Trump u shpreh në një intervistë për Mark Levin se kishte ndaluar një luftë që zgjati për 34-35 vjet mes Azerbaixhanit dhe Shqipërisë, e për të cilën njerëzit i thoshin “jaaa, këtë luftë kurrë s’mund ta ndalësh”.

Dëgjojeni çka tha Trumpi në këtë pjesë:

Shumë media kundërshtare të Trump po thonë se ai e ngatërroi Shqipërinë me Armeninë (Albania-Armenia). Por, kur merret parasysh se çka thoshte për Kosovën dhe Serbinë atëherë kjo ndoshta s’është e vërtetë.

Trumpi në disa raste e kishte përsëritur se ndaloi luftën mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht duke aluduar se kjo ndodhi në mandatin e parë e më pas duke e rritur pretendimin e tij në “tri javët e fundit” në muajin korrik.

Presidentja Osmani e kishte mbrojtur Trumpin nga dyshuesit duke thënë po ashtu se Serbia ishte vend armiqësor dhe tekefundit kush ishim ne të denim më shumë se presidenti i Amerikës.

*Shiko rubrikën ku ndodhet ky artikull.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: