E diel, 20 Prill, 2025

Shqipëria po e godet Kosovën edhe pasi u bashkua haptas me Serbinë për EURO. Koha për hetim!

KulturëShqipëria po e godet Kosovën edhe pasi u bashkua haptas me Serbinë për EURO. Koha për hetim!

Ikja e kapiten Brrutit duhet me qenë alarm që ia nxjerr gjumin Kosovës dhe e shtyn drejt dyshimit se mos motra e saj Shqipëria po e tradhton me Serbinë. 

Et tu, Brute? – është prej frazave më të njohura të historisë. Kështu i tha Jul Çezari në dramën e Shejkspirit derisa po i nguleshin thikat mikut të tij Brutit. Në shqip i bie: “Edhe ti Brut, a?”

Një thikë nga një farë Bruti iu ngul thellë edhe kombëtares tonë. Ishte Etnik Brruti, kapiteni i Kombëtares së Kosovës, që raportohet se iu bashkua kombëtares së Shqipërisë.

E çka ka të keqe që Shqipërisë? Ka të keqe sepse kjo është Shqipëria me Serbinë.

Seri therjesh

Çezari besohet se ishte therë 23 herë. Me dijet tona, numri i therjeve ndaj Kosovës prej lojtarëve të saj s’është edhe shumë më i vogël.

Para Brutit, Kosovës iu ngul thika edhe prej plot lojtarëve tjerë. Po përmendim këtu edhe një tjetër kapiten të shpresave: Ardian Ismailin. Ndërkohë, bujë të madhe për braktisje të Kosovës kishin bërë edhe Mirlind Daku, Arbnor Muja e Arbër Hoxha.

Në një deklaratë para gazetarëve, trajneri i Shqipërisë U-21 Alban Bushi, ka zbuluar edhe mënyrën qysh i joshin futbollistët kosovarë për ta lënë Kosovën duke iu premtuar edhe shirite kapitenësh siç kishte ndodhur me Medon Berishën (tjetër lojtar i grabitur).

Të tjerë lojtarë që u ‘vodhën’ nga Shqipëria janë Ermir Rashica, Dion Ajvazi, Elion Jashari, Arlind Rexhepi, Behar Ismaili. Në të kaluarën edhe Arlind Ajeti, Ylber Ramadani, Frederik Veseli, Ardion Pajaziti etj.

Rast që nxit dyshime serioze për motivet e Shqipërisë është edhe ai i Loret Sadikut.

Nëse e mbani mend, Loreti ishte bërë prej figurave kyçe në kombëtaren e Kosovës në kohën e pranimit në UEFA dhe FIFA. Ai e kishte lënë Shqipërinë që të luante për Kosovën që kishte nevojë të madhe për lojtarë sa më cilësorë.

Sadiku e ka akuzuar Shqipërinë haptas se ka pasë për qëllim që ta dëmtonte. Dhe çudia është se  duket se ia ka arritë qëllimit: Sadiku përkundër që s’e kishte luajtur asnjë ndeshje zyrtare me Shqipërinë, s’u lejua nga FIFA që të luante më shumë se katër ndeshje për Kosovën.

Shqipëria me Serbinë

Kategoria U-21 ishte hapësira ku Shqipëria dashamirësisht dyluftonte me Kosovën për talentët kosovarë. Dhe bash kategoria U-21 e bëri bashkë shtetin e dashur vëllazëror shqiptar me… Serbinë.

Shqipëria tronditi opinionin publik në Kosovë kur aplikoi me Serbinë për organizimin e EURO2021. Ky aplikim rezultoi i suksesshëm dhe tashmë Shqipëria e Serbia janë bërë bashkë për atë organizim.

E në këtë pikë, dyshimet se mund të ketë një tendencë të organizuar kriminale për dëmtimin e Kosovës në sportin më popullor në botë duken më se legjitime.

E dyshimet se mund të ketë një tendencë të organizuar për dëmtimin e Kosovës në futboll rriten pasi Shqipëria vendosi të aplikonte me Serbinë për organizimin e EURO 2021 për kategorinë U-21.

I lartpërmenduri, Alban Bushi, e kishte cilësuar turneun e planifikuar Shqipëri-Serbi si gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë.

Kosova është ende në fazën e konsolidimit të shtetësisë së saj, dhe promovimi i kësaj shtetësie me anë të sportit më popullor në botë është gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Shqipëria po bëhet sikur s’e di këtë gjë.

Është koha që Kosova të hetojë se mos prapa destruktivitetit të Shqipërisë ndaj kombëtares së Kosovës fshihet Serbia.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: