E diel, 20 Prill, 2025

Sikleti i javës: Mjeku që përqafoi Thaçin e pastaj u frye se e solli në Kosovë

PolitikëSikleti i javës: Mjeku që përqafoi Thaçin e pastaj u frye se e solli në Kosovë

Një fjali problematike. Një mjek me nevojë gjigante për t’u fryrë. Një absurditet që s’njeh kufij.

Vizita e Hashim Thaçit në Kosovë mori gati statusin e vizitës historike shkaku i algoritmave të Facebook-ut. Ajo ishte në fakt thjesht një vizitë private e tij te babai i sëmurë tash e disa javë.

Dhe siç ndodh rëndom në kësi ngjarjesh historike, personazhe të reja na lindin dhe bëhen figura deridiku publike. Kësaj here, ishte radha një mjeku të ri me emrin Adriatik.

Çka bëri mjeku që mori famë?

Mjeku i ri doli ta përcillte Hashim Thaçin jashtë bashkë me dy mjekë tjerë më të vjetër se ai.

S’e dimë nëse si motiv për atë përcjellje ishte prania e një numri njerëzish që ia brohorisnin emrin të paraburgosurit në Hagë. E dimë se mjekët s’i përcjellin jashtë qytetarët tjerë të Kosovës kur vizitojnë familjarët e sëmurë. Bile, zor edhe se iu flasin kur ata vijnë në spital.

Ajo që ra në sy të publikut ishte se ky mjek riosh edhe e përshëndeti ish-presidentin e ish-kryeministrin në mënyrë mjaft të ngrohtë. Bëri një gjysëm-përqafim.

Një prej pjesëtarëve të sigurimit në një moment bile edhe ia bën me gisht kërcënueshëm, dhe mjeku zmbrapset në pozicionin “namaste”.

Kjo e bëri mjekun në fjalë heroin e asaj ngjarje të pafjalë pasi kryeprotagonisti Thaçi s’mund të fliste.

Mjeku: Unë e solla Hashim Thaçin në Kosovë

Një ditë më vonë, mjeku për të cilin po fliste e mbarë Kosova vendosi t’i shkruante disa rreshta në Facebook.

Aty ai na njoftoi se quhej Adriatik Berisha. E kishte babain “mjek të luftës dhe të paqes” e bile njoftoi edhe për ecurinë e trajtimit të pacientit, Haxhi Thaçit. Këtij ia shkurtoi mbiemrin veç në inicial (Th.) thua se po ia mbronte privatësinë (ish-presidentit ia përmendte)

Mjeku Berisha do të nënkuptonte se raporti i tij mjekësor e solli Thaçin në Kosovë. Pra, heroizmi i tij s’ishte veç te përqafimi dhe te ‘namaste’-ja kur u kërcënua nga Euleksi. Heroizmi i tij ishte te ardhja e Thaçit në Kosovë.

“Për shkak të gjendjes së rënduar të pacientit kam përshkruar një raport mjekësor profesional të detajuar për gjendjen e tij aktuale dhe pritjet nga gjetjet në vijim.
Ky raport ka rezultuar me viziten e djeshme të ish-presidentit Thaçi!
Jam thellësisht krenar që i gjithë ky proces i kësaj vizite meritore ka kaluar përmes duarve të mia.” – mburrej mjeku në fjalë.

Nevoja e tij për llajka mund t’i bëj sherrin Thaçit

Ka një fjalë në anglisht që s’po mund ta përkthejmë kurrqysh si duhet në shqip: “cringe” (lexo: krinxh).

Ndihesh krinxh kur të vjen marre për dikë tjetër derisa atij s’i vjen për veten. Kur e sheh – ta zëmë – qysh dikush në mënyrë të fshehtë e ledhaton egon e tij, por megjithatë ai ledhatim egoje nëpërduket. Po e përkthejmë në shqip me siklet.

Mjeku në fjalë, po ia ledhatonte egon vetes në atë status. “Unë e solla Hashim Thaçin në Kosovë?” Këtu është sikleti.

Kjo mund të shërbejë herën tjetër si pretekst për të mos e lënë ish-presidentin të bëjë vizitë në Kosovë. Si arsye për refuzim mund të përdoret fryrja publike e mjekut me raportin mjekësor për babain e tij. Pra, kjo lë hapësirë të madhe për dyshime se dikush shkaku i simpative për Thaçin mund të përgatis raport mjekësor të përshtatshëm për të veç që ai vijë në Kosovë.

Përveç kësaj, është edhe konsiderata etike.

Gazetarja e njohur Saranda Ramaj e bëri një status kritik ndaj dr. Berishës nja 30 minuta pas statusit të tij. Ajo s’i përmend emrin – sepse ndoshta s’ka kohë të merret me reagimet emocionale të njerëzve – por neve na merr mendja se e kishte për të.

Lexojeni me kujdes:

Pse duhej të bëhej ky reagim nga mjeku? Thjesht, shkurt, shqip: s’duhej!

Kaq kësaj radhe.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: