Pak pasi kryeministri i Britanisë Keir Starmer mbërriti në Washington për me luftu për të ardhmen e Evropës, dy burra që bëjnë hajgare me gjithçka që ai beson shkelën tokën amerikane. Influencerët toksikë të YouTube, Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristani, i kaluan disa vjet nën hetime në Rumani si të akuzuar për përdhunim dhe trafikim me qenie njerëzore, akuza që i mohojnë. Andrew Tate tash është në kërkim nga policia britanike i dyshuar për përdhunim ndërsa vëllai i kërkohet për evazion fiskal. Por, për botën e simpatizantëve të Donald Trumpit ata janë martirë, të përndjekur padrejtësisht sepse e thonë atë që e mendojnë në internet.
Duke ndejtë anash kryeministrit Starmer, Trumpi u bë sikur “s’dinte kurrgjë hiç” për ardhjen e vëllezërve Tates anipse rapotohet se Amerika bëri presion diplomatik ndaj qeverisë rumune për me i leju ata me udhëtu për Amerikë. Andrew Tate fryhej se e kishte shok djalin e presidentit Trump. Por, ky ishte veç një përkujtim i vogël e i zi për atë sesa shumë janë largu dy kontinentet tona. Është liria e shprehjes ajo që u jep flakë simpatizantëve të Trumpit, e jo liria e miliona evropianëve me jetu në paqe përgjatë kufijve të Rusisë; qysh e tha presidenti Trump me kollajllëk këtë javë, “do t’ia lëmë Evropës me u marrë me këtë punë”. E megjithatë në pyetjen kryesore që e shtroi Trumpi në Washington – nëse Amerika do të kujdesej për miqtë e vjetër, duke iu ofru mbështetje ushtarake pa të cilën forcat e saj do t’i ekspozoheshin një rreziku të madh – më e mira që doli prej Trumpit ishte që s’e tha një JO të prerë, e bile edhe kjo mundet me i pasë disa kushte tregtare.
Starmeri i bëri lajka Trumpit, duke ia dhënë një ftesë nga Mbreti Charles për një vizitë të dytë që qartazi e gëzoi shumë presidentin. Por, edhe pse Trumpi e lavdëroi si “njeri të veçantë”, kjo s’po duket më si një raport i veçantë; më shumë duket si një lloj pazari pa dashuri që i lë të dy palët me u ndi për ibret.
Evropa ende beson te ndërtimi i aleancave, te marrëdhëniet speciale, te një botë që respekton rregullat dhe bile edhe në idenë e Perëndimit. Por, Trumpi s’beson te këto gjëra. Për të, miqtë e vjetër janë pak-a-shumë si “do të afërm të bezdisshëm që vijnë me ia perdor falas pishinën”; ata vëllezër e motra të varfër që shkojnë te vëllai i tyre miliarder, dhe që gjithnjë e më shumë shihen si barrë e mërzitshme që s’mund e sheh me sy. Dhe prandaj Trumpi ka vendos me ndërpre këtë gjë, duke i detyru evropianët me pagu vetë për mbrojtjen e tyre dhe e dyta me i detyru që të bëjnë biznes në kushte tepër të favorshme për të.
Britanikët lëngojnë për një moment si ai te filmi “Love, Actually” ku Starmeri emocionalisht do ta poshtëronte Trumpin para publiku, ashtu si Hugh Granti që ishte kryeministër në atë film. Por, ndërsa Macroni shpëtoi lehtë pasi e korrigjoi publikisht presidentin amerikan, Starmeri nuk ndërmerr kësi rreziqe: ai bile s’ia doli as me dënu publikisht kërcënimin e Trumpit për aneksimin e Kanadasë, që është shtet i Commonwealthit. Ai ka qenë i ndërgjegjshëm se ishte në Washington jo vetëm në emër të shtetit të tij, por në emër të krejt Evropës në momentin më të rrezikshëm për kontinentin që mundem me mbajtë mend gjatë jetës time.
S’ka me pasë paqe në Ukrainë, e në asnjë shtet tjetër përgjatë kufirit me Rusinë, përveç nëse Putini e di se do ta paguante shtrenjtë qoftë për shkeljen e armëpushimit me Kievin apo destabilizimin e shteteve fqinje. Megjithëse liderët e BE-së tash po hahen qysh me i gjetë paret për me ndërtu mbrojtjen e tyre kolektive, pas vendimit të papritur amerikan me tërheq këmbzën prej arme, në realitet duhen vite para se ata të jenë gati me qëndru me dy këmbë dhe Putini e di mirë. Një forcë evropiane parandaluese në Ukrainë pa mbështetjen amerikane rrezikon në rastin më të mirë të mos parandalojë gjë e më të keqin të mos pyetet hiç. Nëse dinjiteti i kryeministrit Starmer është çmimi që duhet me pagu për një marrëveshje që shpëton jetë të panumërta, atëherë ia paftë hairin Amerika. Por, as dinjiteti mundet mos me mjaftu.
Disa njerëz që kanë pasë punë me Trumpin e kanë mbetë me pasoja, ditët e fundit po e japin të njëjtën këshillë: mos humbni kohë duke u përpjekë me nxitë prej tij dashamirësi, apo duke i folë për interesat kombëtare të Amerikës, sepse atij i bën veç për veten. I thoni se kah i bie rruga për te Nobeli për paqe, ose që me nënshkru një marrëveshjeje paqeje me Rusinë e bën të duket dobësirë në sytë e Kinës, apo se me një marrëveshje ka pare. “Po e marrim atë që na takon,” – i tha Trumpi kabinetit të vet këtë javë, për marrëveshjen me Zelenskiyn që e detyron këtë shtet me i tregtu resurset natyrore për me mbetë gjallë.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
ShBA-ja do të eksploatojë mineralet e rralla të Ukrainës që vlejnë miliarda dollarë. Ato që kishin me u përdor për rindërtimin e këtij vendi të shkatërruar prej lufte, në asi marrëveshje që shtetet e mundura në luftë zakonisht pranojnë me nënshkru me pushtuesit e jo me të ashtuquajturit miq. Në këmbim, Ukraina shpreson që dëshira e kompanive amerikane për me operu të sigurta aty do ta motivojë ShBA-në me ofru një farë sigurie – ose, të paktën, një farë pengese derisa fqinjtë evropianë ta mbledhin një farë fuqie. Nëse dinjiteti i Starmerit është çmimi që duhet me pagu për atë marrëveshje, ose qoftë edhe sa me ble kohë, atëherë e gëzoftë Amerika.
Starmeri solli edhe dhurata në këmbët e mbretit të vetëshpallur: rritjen urgjente në buxhetin e mbrojtjes që e ka kërku Trumpi.
Kryeministri britanik mundet me i lu veç dy karta, asnjëra prej të cilave s’është e favorshme për Laboristët: mos me qenë vend anëtar i BE-së (një entitet që Trumpi po e sheh gjithë e më shumë si mjet që i shkërdhen amerikanët) në mes të një lufte tregtare me të, dhe me ia ofru një vizitë mbretërore.
Por ndërsa Trumpi fliste në mënyrë të paqartë për atë sesi vetë prania e kompanive amerikane në Ukrainë siguron që askush s’bën çka t’i teket, kjo është tepër pak në krahasim me zotimin për siguri ajrore apo për funksionet tjera kritike që i lypë Evropa.
Derisa kjo të ndryshojë, ajo çka ka mbetë prej aleancës transatlantike duket sikur janë dy shtete të ndara prej një kërcënimi të përbashkët – kolapsi i rendit botëror që e mbajti Evropën në paqe për 80 vjet – i cili shihet si i rreizikshëm veç prej njërës prej tyre. Dhe mundet mos me pasë kthim mbrapa prej këtij realiteti.
*Opinion nga Gaby Hinsliff, kolumniste e Guardian. Përkthyer e përshtatur nga Tjetër*.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).