Shfaqja tragjikomike “Streha e nemun”, përmes shume elementeve trajton paradokset dhe shoqërinë konservatore, duke e vënë theksin te nocioni i moskompletimit të martesës. E gjithë drama është një ndërthurje delikate midis dramës personale dhe presionit kolektiv, midis identitetit individual dhe përkufizimit shoqëror. Kjo shfaqje nuk është vetëm një skenë ku rrëfehen fate, por një pasqyrë e thellë e një bote ku suksesi, pavarësia dhe dinjiteti nuk mjaftojnë për të përmbushur standardin e “plotësisë”, nëse nuk mbështillen me rrethin e martesës dhe prindërimit.
Pra shfaqja “Liza në maj” e dramaturgut hungarez Sholt Poshgai është një vepër delikate dhe introspektive, që nëpërmjet një strukture të thjeshtë dhe një ambienti të përqendruar, eksploron thellësisht psikologjinë njerëzore, marrëdhëniet ndërpersonale dhe tensionet midis të kaluarës dhe të tashmes.
Kësisoj kjo vepër nuk ofron përgjigje të lehta. Zhbiron, ngacmon, shqetëson. Dhe në heshtjen që mbetet pas, ai e lë publikun të përballet me një pasqyrë: në të nuk reflektohet vetëm fytyra e gruas, por edhe vetëdija e një shoqërie që, duke vendosur kurorën mbi kokën e martesës, harron të çmojë njeriun.
“Streha e nemun” – është shfaqur premierë mysafire. Një tragjikomedi me regji të Ilir Bokshit, bazuar në veprën “Liza në Maj” nga Sh. Poshgaj.
Me aktorët: Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Adrian Morina
“Besoj kjo shfaqje trajton temë jashtëzakonisht aktuale, temë që nuk po mbaron kurrë në trojet tona shqiptare është pak e dhimbshme me thënë, por vërtetë, sa herë flitet për figurën e gruas, pavarësisht sukeseve që mund t’i ketë një grua po nuk u martua, po nuk bëri fëmijë mbetet e parealizuar,” – ka thënë Albulena Kryeziu Bokshi për magazinën TJETËR.
Shfaqja e ndërton tensionin mbi këtë paradoks: mund të jesh gjithçka që s’ka qenë kurrë ndonjë tjetër, por nëse nuk je grua e dikujt – je askushi. Dhe në këtë pikë, nuk është vetëm tragjedia e individit që merr jetë, por edhe ironia e një shoqërie që nënvlerëson vlerat që ajo vetë pretendon t’i çmojë: arsimin, suksesin, sakrificën, aftësinë për të mbijetuar dhe për të ndërtuar botë të reja.
Kryeziu Bokshi është shprehur se ky është një realitet i dhimbshëm dhe i la ardhur keq që e thotë këtë, por te ne ende cilësohet si arritja më e madhe kur një grua martohet dhe bën fëmijë, pavarësisht të gjitha të tjerave çfarë mund të bëjë.
“Një temë tjetër që e prekë janë edhe zhvillimet e fundit, komplet këtë 20 vjeçar, sidomos këto vitet e fundit me lindjen e inteligjencës artificiale. Është në fakt skena që flet për atë pjesë, që bota është duke u transformuar plotësisht e që fatkeqësisht në këtë transformim marrim pjesë secili. Nuk i ka fajet veç një kategori por të gjithë së bashku jemi duke shkuar drejt një transformimi të cilin nuk e dimë se ku ka me na dërgu dhe të gjithë frikësohemi, dhe të gjithë kontribojmë dashtë e pa dashtë në këtë ndryshim global që po ndodhë.”
Ajo ka thënë se mbi të gjitha kjo trajton figurën e gruas edhe se si çdo ditë dëgjohen lajme shumë të rënda për gratë, edhe një prej faktorëve është edhe tema e kësaj shfaqje që kontribuon për me çu deri te femicidi.
Në këtë kontekst teatral, burri është shpesh figura që lëviz sipas trajektores së pritshme shoqërore – shkollim, punë, martesë, trashëgimi – ndërsa gruaja bëhet qendra e reflektimit kritik: një qenie që mund të jetë e ditur, e arrirë, e pavarur, por që përballë syve të shoqërisë mbetet e papërmbushur nëse nuk përmbyll ekzistencën e saj me një status martesë. Në këtë mënyrë, ajo nuk perceptohet si subjekt i vetëvetes, por si një hapësirë në pritje të tjetrit, një grua në pritje të burrit që do ta legjitimojë në sytë e të tjerëve.
“Në një fare forme Kosova fatkeqësisht është bërë një strehë e nemur për gratë, dashtë e pa dashtë sado e dhimbshme që mundet me tingëllu, sado e zezë mundet me tingëllu është një realitet të cilin po e jetojmë cdo ditë, e trajtuar me doza të satires, me doza të humorit sepse fundja besoj që edhe regjisori ka dashtë me përçu mesazh, me shku lehtë po me shku qartë tek publiku, pa e tronditë shumë, por me kuptu që vërtetë jemi në një situatë shumë të vështirë, në një periudhë ku çdo gjë ka përparuar, por në fakt jemi duke bërë regres në disa raporte sidomos sa i përket raportit të gruas.”
Ledion Zoi ka thënë se temat në këtë shfaqje janë njerëzore ato që hasen përditë që një vajzë në një moshë të caktuar, ndodhet në një vështirësi të caktuar për të vazhduar jetën, për të lidhur jetën dhe për ta kurorëzuar atë me një martesë dhe bërë një familje.
“Në një moment, në një moshë të caktuar vajza kupton që i është dedikuar profesionit të vet dhe këtij personi që i ka ndenjur gjatë gjithë kohës në kokë dhe në një momoent të caktuar kur ky person i ndahet nga jeta, ajo kërkon që të gjejë jetën e vet dhe të fillojë edhe njëherë nga e para. Por, përpjekjet e saj siç e tregon edhe shfaqja janë vërtet shumë tw vështira nuk gërvujnë të gjejnë shpirtin e saj binjak,” – ka thënë Ledion Zoi për magazinën TJETËR
Ai ka shtuar se këtu jo vetëm një grua, por edhe një mashkull të dy janë njerëz që nuk ndiheshin të paplotësuar dhe donin që të plotësoheshin. Të dyja palët donin të krijonin atë pazëll të tyre, por që nuk u arrit në asnjë moment, sepse është shumë e vështirë.
”Ne sot jemi në vitin 2025, nuk mund dot të gjejmë bashkëshortin apo bashkëshorten në gazetë apo në ndonjë prej këtyre mënyrave. Është tjetër gjë jeta sot, duhet të kemi ato gjerat e përbashkëta. Çfarë kërkon ajo grua nga jeta dhe çfarë kërkon mashkulli nga jeta dhe të dyja bashkë formojnë një familje”
Një heshtje që peshon më shumë se çdo fjalë, sepse ajo nuk është as dorëzim, as pajtim – por vetëdije. Gruaja mbetet e vetme në qendër, jo si viktimë, por si dëshmi e një bote që kërkon nga ajo të jetë “e dikujt” për të qenë “dikush”. Dhe ndërsa dritat shuhen ngadalë, publiku mbetet përballë një pyetjeje që s’e shuan dot as martesa, as morali: Kush vendos çfarë do të thotë të jesh?!