Studiues nga Izraeli, Holanda, ShBA, Britania e Madhe, Australia, Kroacia dhe Kanadaja thonë se sjellja e Izraelit përmbush pragun ligjor të gjenocidit.
Një numër gjithnjë e më i madh i studiuesve të gjenocidit në botë besojnë se veprimet e Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid, sipas një hulumtimit të gazetës holandeze NRC.
Gazeta intervistoi shtatë studiues të njohur të gjenocidit dhe Holokaustit nga gjashtë vende – përfshirë Izraelin – dhe të gjithë e përshkruan fushatën izraelite në Gaza si gjenocidale. Shumë prej tyre thanë se edhe kolegët e tyre në këtë fushë ndajnë të njëjtin vlerësim.
“A mundem me përmend dikënd – punën e të cilit e respektoj – e që nuk mendon se kjo është gjenocid? Jo. Nuk ekziston asnjë kundërargument që i merr parasysh krejt dëshmitë,” tha studiuesi izraelit Raz Segal për NRC.
Profesori Ugur Umit Ungor nga Universiteti i Amsterdamit dhe Instituti NIOD për luftën, Holokaustin dhe studimet e gjenocidit tha që ndonëse ka studiues që thonë se nuk është gjenocid, “unë nuk e di kush janë ata”.
Gazeta holandeze shqyrtoi 25 artikuj shkencorë të botuar së fundmi në Journal of Genocide Research, revista më prestigjioze në këtë fushë, dhe konstatoi se “të gjithë tetë akademikët nga fusha e studimeve të gjenocidit e shohin situatën në Gaza si gjenocid ose së paku si dhunë gjenocidale”.
“Dhe kjo është e jashtëzakonshme për një fushë studimi ku nuk ka qartësi të plotë se çfarë është saktësisht gjenocidi,” theksohet aty.
Edhe organizatat kryesore për të drejtat e njeriut kanë arritur në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid. Në dhjetor 2024, Amnesty International u bë organizata e parë e madhe që deklaroi se Izraeli kishte kryer gjenocid gjatë luftës në Gaza, ndërsa Human Rights Watch, në mënyrë të kujdesshme tha se ishin kryer “akte gjenocidale”.
Francesca Albanese, ekspertja kryesore e Kombeve të Bashkuara për Palestinën, hartoi dy raporte vitin e kaluar duke sugjeruar se në Gaza po ndodhte gjenocid.
Sipas raportit të NRC, studimet për gjenocidin si disiplinë nuk e trajtojnë këtë çështje në mënyrë binare. Në vend që të pyesin nëse ka ndodhur apo jo gjenocid, studiuesit e shohin atë si një proces gradual.
“Ndryshe nga opinioni i përgjithshëm, studiuesit e gjenocidit janë për çudi unanimë: qeveria e Netanyahut, është në këtë proces – sipas shumicës, madje në fazat e tij përfundimtare,” përfundoi studimi. “Prandaj, shumica e studiuesve nuk flasin më vetëm për ‘dhunë gjenocidale’, por për ‘gjenocid’.”
Që nga sulmi shkatërrues i Izraelit në Gaza në tetor 2023, të paktën 53,000 palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 15,000 fëmijë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi këtë javë se 57 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja që nga ndalimi total i ndihmës humanitare nga Izraeli, në fuqi që nga 2 marsi.
OBSH parashikon se gati 71,000 fëmijë nën moshën pesë vjeç do të vuajnë nga kequshqyerja akute gjatë 11 muajve të ardhshëm nëse ndalimi i ndihmës vazhdon.
”Ndodh sepse ndodh”
Raporti vuri në dukje se edhe studiuesit që më parë hezitonin të përdornin këtë term, që nga atëherë kanë ndryshuar qëndrim, si Shmuel Lederman nga Universiteti i Izraelit.
Gjithashtu u përmend mendimi i studiuesit kanadez të së drejtës ndërkombëtare, William Schabas, i cili konsiderohet më konservator përsa i përket përdorimit të terminologjisë për gjenocidin, por që gjithsesi thotë se Izraeli po kryen gjenocid.
Në një intervistë për Middle East Eye muajin e kaluar, Schabas tha se fushata e Izraelit në Gaza ishte “absolutisht” një gjenocid.
“Nuk ka asgjë të krahasueshme në historinë e fundit,” tha Schabas. “Kufijtë janë të mbyllur, njerëzit nuk kanë ku të shkojnë, dhe ata po shkatërrojnë gjithçka duke bërë jetën në Gaza praktikisht të pamundur.
“Ne e shohim këtë së bashku me ambicien, që herë pas here shprehet hapur nga Trump dhe Netanyahu, si dhe nga izraelitët, për të rikonfiguruar Gazën si një lloj Riviere të Mesdheut Lindor.”
Mungesa e veprimit të Izraelit pas vendimit të përkohshëm të Janarit 2024 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte një faktor vendimtar që shtyu shumë studiues të arrijnë në përfundimin se sjellja në Gaza përbën gjenocid, raporton NRC.
Ky vendim ligjërisht i detyrueshëm urdhëroi Izraelin të ndërmerrte masa të menjëhershme për të parandaluar gjenocidin duke lejuar ndihmën humanitare në Gaza dhe duke ndaluar retorikën dehumanizuese që nxiste shfarosjen e palestinezëve.
Fillimisht, Lederman ishte kundër përdorimit të termit “gjenocid”. Megjithatë, pas shpërfilljes që kryeministri Benjamin Netanyahu i bëri vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbylljes së vazhdueshme të kalimeve tokësore drejt Gazës, dhe një letre të nënshkruar nga 99 punëtorë shëndetësorë amerikanë që deklaronin se numri i viktimave në Gaza kishte kaluar 100,000, ai u bind se veprimet e Izraelit në fakt përbëjnë gjenocid.
Ndërkohë, Melanie O’Brien, presidente e Shoqatës Ndërkombëtare të Studiuesve të Gjenocidit, tha se mohimi i qëllimshëm nga Izraeli i ushqimit, ujit, strehimit dhe kushteve sanitare ishte faktori kyç që e çoi atë në përfundimin se ekspedita ushtarake ishte një gjenocid.
Për të gjithë studiuesit e intervistuar, ajo që ndikoi përfundimisht në vlerësimin e tyre ishte një pamje gjithëpërfshirëse e situatës – tërësia e sjelljes së Izraelit dhe shuma e të gjitha krimeve të luftës të shikuara në tërësi.
Studiuesit gjithashtu hodhën poshtë pretendimet që qarkullojnë në debatin publik perëndimor, sipas të cilave fushata ushtarake e Izraelit ka për qëllim vetëm mposhtjen e Hamasit, se nuk ekziston një plan i qartë për të shfarosur popullatën, se e gjithë popullsia e Gazës nuk është vrarë, se situata nuk është e ngjashme me Holokaustin, ose se ende nuk ka një vendim juridik për ta cilësuar atë si gjenocid.
Ata argumentuan se këto pikëpamje pasqyrojnë keqkuptime thelbësore mbi mënyrën se si përkufizohet gjenocidi sipas së drejtës ndërkombëtare.
Konventa për Gjenocidin është një traktat për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit – jo për të pritur derisa ai të ndodhë plotësisht. Traktati i referohet gjithashtu shkatërrimit të pjesshëm ose të plotë të një grupi, jo domosdoshmërisht zhdukjes së tij tërësore. Për shembull, vrasja e 8,000 burrave boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995 njihet juridikisht si gjenocid, pavarësisht se ishte në shkallë më të vogël se Holokausti.
O’Brien theksoi se gjenocidi nuk varet nga një konfirmim juridik për të qenë real. “Ndodh sepse ndodh.”
Artikull i shkruar nga MEY. Përkthyer nga Tjetër*