E shtunë, 2 Gusht, 2025

Surroi e Vllasi u nxehën aq shumë me Jugosllavi sa eskaluan në sharje ndaj Demaçit

PolitikëSurroi e Vllasi u nxehën aq shumë me Jugosllavi sa eskaluan në sharje ndaj Demaçit

Nuk më pëlqejnë titujt sensacionalistë e alarmistë. Por, ajo që ndodhi në episodin e fundit të podkastit të Veton Surroit ishte sensacionale e ishte për alarm. U shfytyrua e poshtërua në mënyrë aq të skajshme veprimtaria e Adem Demaçit sa s’dukej ndryshe veçse veprimtari qesharake.

Ky episod titullohej “Si e bëmë shtetin në Jugosllavi” në të cilin Veton Surroi provonte përmes Azem Vllasit ta ndërtonte narracionin se Kosova kishte shijuar liri e barazi nga viti 1968 e deri më 1981 dhe himnizohej vepra e Josip Broz Titos. Pra, Kosova e kishte një farë shteti gjatë kësaj periudhe 13-vjeçare.

Në këtë rast – këtu – Surroi po përpiqej që përmes Vllasit të tregonte se si në Jugosllavinë e asaj kohe kishte liri politike të atij niveli sa lejohej të debatohej edhe tema nëse Kosova mund të ishte Republikë brenda Jugosllavisë.

Aq shumë eskalohet në idenë se kishte liri të madhe politike e pluralizëm, sa e gjithë disidenca në Jugosllavi duket banale. Dhe natyrisht, banalizohet prej Vllasit dhe Surroit.

“Debatet kanë qenë… marrshin frymë njerëzt vëlla… ni qasje kritike… ça ka ndodhë? Najkush e ka tepru po… asi…” – Vllasi (44:00 – 44:09)

Mos po mungon diçka këtu? Mos i ka mbajtë dikush 28 vjet burg shkaku i qëndrimeve të veta politike? Mos kanë qenë edhe qindra tjerë si ai bash në ato vite të bukura të Jugosllavisë?!

“Adem Demaçi ka qenë ndër t’parët që shkoi n’burg për…ëëë… ni arsy tjetër… Adem Demaçi e ka pasë opcionin për bashkimin. Ai iu ka përmbajtë asaj t’Bujanit… edhe qysh ka qenë prej natyre ai… aty-këtu ka folë, kanë thanë paja ti këtu se kjo nuk o temë… ëëë, nuk o temë… Edhe e kanë gjyku… ai… ka pasë ithtarë t’vet se te na si t’shkojsh n’burg ki ithtarë, s’ka problem…”–   Vllasi (44:10 – 44:47)

Domethënë, Adem Demaçi shkoi në burg për dy arsye: 1) sepse e gaboi temën; dhe 2) sepse ka pasë natyrë problematike.

E gaboi temën sepse foli për Bashkim me Shqipërinë. Kishte natyrë problematike sepse fliste.

Dhe, shiheni se me çfarë inati flet Vllasi për popullaritetin e Demaçit. Nënkupton se ai ishte “kurrkushi”. Se i bëri ithtarët e vet thjesht dhe vetëm sepse “shkoi në burg”.

Mirëpo, kjo përdhosje s’përfundon këtu. Vllasi e quan edhe “inatçor” Adem Demaçin duke nënkuptuar se ndoshta kjo ishte arsyeja pse ai përfundoi për 28 vjet në burg. Ishte inatçor.

“Ka dalë prej burgu… Ademi edhe prej natyre u kanë pak inatçor. I grahke asaj t’vetes. Edhe ka shku apet…”Vllasi   (44:53 – 45:00)

A tha diçka Veton Surroi përveç që e nxiste Vllasin dhe kënaqej me fjalët e tij?! Natyrisht që tha. Është edhe më zi se Vllasi.

“Kanë pasë nevojë strukturat e sigurisë, pro-serbe, me kriminalizu veprimin politik të shqiptarëve. Edhe osht dashtë me pasë një Adem Demaç a dikon a, cilindo me kapë… e me thanë, fjalët e tij janë kriminale… na e majmë n’burg…”  – Surroi (45:37 – 45:59).

Pra, Adem Demaçi s’kishte kurrfarë veçantie në veprimtarinë politike në Jugosllavi. Ai ishte kurrkushi. Ata mund ta kapnin cilindo, veç që ta jepnin një shembull. Sipas Surroit, Adem Demaçi ishte thjesht një viktimë që u përdor nga strukturat e sigurisë pro-serbe kundër shqiptarëve.

A duhet Parlamenti Evropian me ia heqë fotografinë? Mos duhet me ia marrë edhe Çmimin Sakharov?

Sipas Surroit dhe Vllasit po. Vetëm e vetëm që një fshatar me katër vjet shkollë si Josip Broz Tito të dukej sa më mirë dhe të mos i qortonte nga varri.

Mbrojtja e Vllasit për Titon shkon deri aty sa e relativizon edhe disidencën e njohur ndërkombëtarisht në mbarë botën të Milovan Djilasit. Lë të kuptohet sikur Djilasi i kishte rënë pishman për disidencën e tij e për burgun e tij. Gjë që natyrisht, është totalisht e pavërtetë.

Çka i thonë kësaj përveçse përdhosje e shëmtuar e historisë së Kosovës dhe njërës prej figurave më frymëzuese të saj?!

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: