Influencerja Ashley Saint Clair donte me dëshmu se Elon Musk ishte babai i fëmijës së porsalindur të saj.
Por, që t’i kërkonte me kry testin, influencerja duhej me kalu përmes sekserit të tij, Jared Birchall.
“S’dua që djali im me u ndje sikur është kopil,” – i tha ajo sekserit gjatë një telefonate të gjatë në muajin dhjetor.
Sekseri Birchall i dha këshillë asaj. Shefi i tij ishte “person me zemër të madhe, shumë i këndshëm e shumë gjeneroz,” Por, e kishte edhe një anë tjetër. Kur një nënë e fëmijës ndjek “rrugën ligjore” në këto bisedime, “atëherë kjo gjithmonë, gjithmonë çon në rrethana më të këqija për atë grua sesa kur nuk e bën atë gjë,” i thoshte ai 26-vjeçares në fjalë. Plus, shtoi, se Musku s’e dinte me siguri a ishte fëmija i tij a jo.
S’ishte hera e parë që Birchalli fliste për këto gjëra. Puna e tij zyrtarisht është të drejtojë çështjet familjare të Elon Muskut, ndërsa së fundi e ndihmoi që t’i dërgonte 250 milionë dollarë mbështetje për fushatën e Donald Trumpit.
Por, prapa skene Birchalli është i angazhuar edhe me marrëveshjet private financiare që Musku bën me gratë që i rrisin fëmijët e tij.
Musk i ka të paktën 14 fëmijë me katër gra të ndryshme, përfshirë pop-këngëtaren Grimes. Disa burime të afërta me njeriun më të pasur në botë kanë thënë se besojnë që ai është babai i shumë më shumë fëmijëve tjerë.
Musku i kishte ofruar influenceres St. Clair 15 milionë dollarë përnjëherë dhe 100 mijë dollarë në muaj në mënyrë që ajo të heshtte për fëmijën, të cilit i lanë emrin Romul. Marrëveshje të ngjashme janë negociuar edhe me nënat tjera të fëmijëve të Muskut, i kishte thënë Birchalli influenceres.
Përplasja në lidhje me marrëveshjen për foshnjen ka vazhduar derisa Musku kishte marrë një prej roleve kryesore në qeverinë e ShBA-ve.
Si një këshilltar i lartë i Presidentit Trump, ai ka bërë shkurtime masive të stafit dhe miliarda dollarë nga qeveria federale duke eliminuar edhe programe të shumta sociale.
Projekti i Muskut për prodhim të bebeve është i rëndësishëm për ambiciet e tij për NASA-n, nga e cila kërkon që të lëvizë më shpejt për të shkuar në planetin Mars. Ai ka thënë në platformën X se bërja e njerëve të jenë banorë të shumë planeteve është “kritike që të sigurohet mbijetesa afatgjatë e njerëzimit dhe gjithë jetës ashtu siç e njohim”.
Në botëkuptimin e tij të zi katran, civilizimi ynë është “nën kërcënim shkaku i rënies globale të popullësisë”. Ai po synon që ta ndreqë këtë moment historik duke ndihmuar që me spermën e tij ta mbushë tokën me më shumë njerëz që kanë inteligjencë të lartë, sipas njerëzve të afërt me çështjen.
Edhe bizneset e tij drejtohen asisoji që t’i shërbejnë kësaj ideje: objektivi kryesor i SpaceX është të ndërtojë raketa të afta për të mbërritur në Mars – me kompanitë tjera të tij, përfshirë prodhuesin e veturave elektrike Tesla që duhet ta financojnë këtë plan.
Musku i quan bijtë e tij “legjion”, një referncë me njësitë e ushtrive antike që mund të përmbanin mijëra ushtarë dhe që ishin kyçe në zgjatimin e pushtetit të Perandorisë Romake.
Përgjatë shtatzënisë së influenceres në fjalë, Musku kishte kërkuar që të sillnin gra tjera për të lindur fëmijë tjerë më shpejt. “Të mbërrinim numra sa një legjion i vërtetë, para se të ndodhte apokalipsi,” – i kishte thënë ai influenceres St. Clair në një mesazh që e ka parë The Wall Street Journal.
“Na duhet të përdorim edhe surrogatë,”
Ai ka rekrutuar nëna potenciale në platformën e mediave sociale X, sipas disa njerëzve.
Musk ka përdorur pasurinë e tij që të blejë heshtjen e disa grave që kanë fëmijët e tij, sipas influenceres së lartpërmendur e po ashtu edhe njerëzve tjerë që i kanë treguar mesazhet dhe dokumentet kësaj gazete.
Klauzolat e moszbulimit të informacioneve janë pjesë e marrëveshjeve të pagesës. Nëse nënat rezistojnë apo kërkojnë këshilla jashtë rrethit të tij, kërcënohen me hakarrje financiare.
Birchalli i kishte përshkruar kësisoji pritjet e Muskut për influenceren St. Clair: “”Privatësia dhe konfidencialiteti janë në maje të listës në secilin aspekt të jetës së tij, secilin aspekt, dhe krejt bota e tij është ashtu si një, meritokraci.” Sipas tij, përfitimet do të qarkullonin për njerëzit që e meritonin.
Gjatë telefonatës me sekserin Birchall, influencerja i tha atij se ishte kontaktu nga një grua që Musku e kishte ftu për ta bërë një fëmijë. Ajo tha se po ia zinte frymën “harem drama” e Muskut.
Detajet e misionit për krijim të bebeve nga Elon Musku veç tash po bëhen më publike. Grimes i kishte kërkuar Muskut në shkurt që ta ndihmonte kur një prej fëmijëve të saj po përjetonte “krizë mjekësore” shkaku që ai nuk po merrej me të. Më herët gjatë këtij muaji, kur djali i tyre 4-vjeçar me emrin X, ishte në televizion në krahët e babait në zyren ovale, Grimes postoi duke thënë që ai “s’duhej të shaqej në publik ashtu”.
Më shumë njerëz
Musku ka paralajmëruar se civilizimi do të shkatërrohet nëse njerëzit nuk fillojnë të bëjnë më shumë fëmijë, një pikëpamje kjo e popullarizuar në rrethet e së djathtës. Pronatalizmi është lëvizje e përbërë nga njerëz të shqetësuar prej shkallës së ulët të lindjeve dhe nga përpjekja me zbatu politika dhe zgjidhje kulturore për këtë problem.
Martin Varsavsky, shok i Muskut që e ka hapur një zinxhir të madh për fertilizimin vitro në ShBA, tha se ka folur me të për rezikun e rënies së numrit të lindjes së fëmijëve.
“Pa bebe s’ka të ardhme, çdo problem është bërë sekondar ndaj problemit të të mos pasurit njerëz në planet,”
Duke folur në një konferencë në Arabinë Saudite vitin e kaluar, Musku e shtroi urgjencën e këtij problemi. “Mendoj se shumica e shteteve duhet ta shohin uljen e natalitetit si problemin kryesor që duhet ta zgjidhin. Nëse nuk bëjnë njerëz të rinj, nuk ka njerëzim, dhe asnjë politikë s’ka rëndësi,”
Kur intervistuesi me hajgare tha se Musku po e bënte punën e tij për ta zgjidhur këtë problem, ai ia kishte kthyer: “Po, po e bëj. Duhet ta bësh atë që e thua. Kam shumë fëmijë, dhe iu bëj thirrje edhe të tjerëve të bëjnë sa më shumë fëmijë.”
Përveç kësaj, Musk ka thënë se është i shqetësuar edhe për faktin që shtetet e Botës së Tretë kanë natalitet më të lartë se ShBA-ja dhe Evropa, ka thënë një person i afërt me çështjen.
Një prej mënyrave më të rëndësishme për ndryshimin e kësaj dinamike është që më shumë njerëz të arsimuar të bëjnë më shumë fëmijë.
Në vitin 2023, ai e kishte një takim në Austin ku disa njerëz që i përshkroi si zyrtarë japonezë i kishin kërkuar t’i dhuronte spermën një gruaje të profilit të lartë. “Donin të bëhesha dhurues i spermës. Pa romancë a diçka kështu, veç spermë.” – i shkroi mesazh ai influenceres. Dhe, ia dha spermën.
Zgjedhe një emër
Musk poston dhjetëra herë në ditë në X. Nganjëherë, ndërvepron edhe me përdorues jo aq të njohur. Ua kthen komentet ose edhe iu shkruan mesazhe direkte. Disa përdorueseve iu kërkon me kalimin e kohës që të bëjnë fëmijë.
Influencerja që merret me kriptovaluta, Tiffany Fong, po shkruante diçka kur Musku nisi t’i pëlqente postimet e tij. Këto pëlqime u shtuan kur Fongu nisi të shkruante më shumë për politikë, në mbështetje të Trumpit.
Ajo vëmendje e Muskut për të i çoi plot ndjekës te influencerja që nisi të bënte pare. Më shumë angazhim nënkuptonte më shumë para.
Gjatë kulmit të ndërveprimeve të saj me Muskun, ajo i fitoi 21 mijë dollarë për dy javë.
Atëherë Musk i çoi një mesazh duke e pyetur nëse kishte interes që ta bënin një fëmijë. Ata s’ishin takuar kurrë me njëri tjetrin.
Influencerja e kishte menduar gjithmonë që të kishte fëmijë në një familje tradicionale nukleare, dhe prandaj refuzoi atë kërkesë. Por, iu tregoi miqve të saj për kërkesën e Muskut dhe sesa e brengosur ishte se mos refuzimi mund ta dëmtonte financiarisht.
Sapo Musku e kuptoi që Fongu kishte folur për kërkesën e tij, ai e qortoi dhe ia bëri unfollow. Kjo kontribuoi në rënie të të hyrave.
Lexo artikullin e plotë në gjuhën angleze duke klikuar KËTU.