Sapo e përfundova së lexuari shkrimin e Gazmend Demollit në Tjetër, ku i jepet mbështetje Hajrulla Çekut për kryetar të Prishtinës.
Demolli ngre një paralele mes Çekut dhe kryetarit të ri të Nju Jorkut, Zohran Mamdanit. Sipas tij, nuk ka arsye pse të mos triumfojë edhe në Prishtinë ideja e barazisë ashtu siç ndodhi në Nju Jork. Pajtohem plotësisht. Mirëpo ka një elefant në dhomë të cilin Demolli refuzon që ta shohë: kandidati i VV-së është abuzues i idesë së barazisë, jo avokues i saj.
Po them që Demolli po refuzon ta shohë abuzimin sepse ai e ka lexuar planprogramin e Çekut. Thjesht refuzoi të shërbehej me të. Aty është më se e qartë, jo vetëm për njohësit e politikave komunale por edhe qytetarët e thjeshtë me mendje të shëndoshë se barazia përdoret në mënyrë të mjegullt e shpesh edhe qesharake.
Kandidati i VV-së shkruan se Prishtina do të jetë qytet i barabartë në vitin 2035. Por, se qysh duket kjo barazi s’arrin ta imagjinojë dot përkundër që i kërkon dhjetë vjet mandat.
Më pas, Çeku abuzon me barazinë edhe kur flet për trafikun. Bën konstatime arbitrare si “Prishtina është e bllokuar; transporti publik s’është i besueshëm; në qytet mund të lëvizet vetëm përmes veturave”. Kjo mund të jetë thjesht dhe vetëm ndjenja e tij personale por jo realiteti i njerëzve që kanë qenë në Prishtinë të paktën një herë në pesë vitet e fundit.
Prishtina është një qytet tepër i vogël territorialisht. Ka nevojë për disa autobusë më shumë (jo për 200 siç thotë Çeku, sepse edhe këta 51 rrinë të zbrazur në shumicën e orareve) dhe për trotuare e hapësira të pandërprera për biçikleta e trotinetë. Por, ka nevojë më së shumti për një kulturë të re të transportit. E kjo ndërtohet përmes dekurajimit të njerëzve që të sillen me vetura, e jo mbrojtjes së tyre. Kjo ka ndodhur për herë të parë gjatë kohës së Përparim Ramës. Për herë të parë plot prishtinali e kuptuan se mund të ecet drejt një destinacioni tri kilometra larg.
Në këtë temë, Çeku e përmend edhe një alarm të rremë të para disa viteve kur u mbyll për herë të parë rruga Xhorxh Bush. E akuzon Ramën se e ngarkoi shumë trafikun. Kjo doli se ishte e pasaktë. Sot, trafiku në qendër është po aq i ngarkuar (në mos më pak) se para se të mbyllej për qarkullim rruga në fjalë.
Barazia është arkitekturë. Nju Jorku e votoi; Prishtina e ka radhën
