E diel, 20 Prill, 2025

Taravitë në Fushë Kosovë: Lypsarë e pasanikë, shqiptarë e ashkali bashkë

KulturëTaravitë në Fushë Kosovë: Lypsarë e pasanikë, shqiptarë e ashkali bashkë

Rruga deri te xhamia ishte herë zhavorr, herë lloç e herë asfalt. Në të djathtë dukej një deponi e madhe bërlloku. Në të majtë shfaqeshin kohë pas kohe do shtëpi të vogla njëkatëshe me oborre të ndreqta mirë. Në të katër anët kishte banesa tetë-nëntë katëshe pa kusur. Terr. Ama jo aq terr sa me zhdukë shëmtinë e miksit të urbanes dhe rurales që karakterizon Fushë Kosovën.

Në ecje e sipër nëpër atë rrugicë të shfaqet oborri i mbuluar me bërllok i një shtëpie të lënë pas dore që ndritej prej një reflektori. Pse me u ndriçu bërlloku, o hej? – e pyet veten. Por, pastaj e kupton se ai reflektor qëllimin e kishte me i orientu njerëzit kah rruga e zotit: menjëherë më pas të del para syve xhamia, objekti i madh me përplot drita si me qenë kasino gjigante e Las Vegasit.

Rruga te xhamia në Fushë Kosovë | (c) Tjetër

1

S’është fort zor me u kuptu sesa keq e ka punën shoqëria jonë. Mjafton me dalë nëpër kafeteri e me i dëgju se çka flasin njerëzit me njëri-tjetrin. Hallexhinj me sens të pabesueshëm megalomanie. Badihavxhinj me tendenca perverse përulëse e përçmuese. Punëtorë të zvetënuar prej preokupimit për status social. Parkingje të shëmtuara të mbushura me vetura të bukura. Çehre të prishta e gojë të liga.

E midis kësaj katrahure vulgare vlerash – midis qytetit me katrahurën më vulgare urbane në Kosovë – ndodheshin këta myslimanë në pritje me i falë taravitë.

S’jam mysliman, por e pranoj se njerëzit më të drejtë që i njoh në shoqërinë tonë janë myslimanët e devotshëm. S’pajtohem me vlerat që kanë – përveç që s’e besoj atë që e besojnë – por ashiqare mes tyre ekziston një farë imuniteti më i lartë për të këqijat shoqërore me të cilat përballemi.

Oborri i xhamisë në Fushë Kosovë | (c) Tjetër*

2

Ajo çka po shihja në oborrin e xhamisë s’ishte kushedi çfarë mrekullie. Ishte diçka e zakontë për një natë ramazani. Fytyra të qeshura që e kishin heqë prej vetes anonimitetin e animozitetin shoqëror. Kishte gra e burra. Kishte shqiptarë, ashkali, egjiptianë – që e vizatonin natyrshëm gati gjysmën e flamurit të Kosovës. Kishte pasanikë e lypsarë. Ishte një përbashkësi që e kemi përzënë tash e sa kohë nga çfarëdo mjedisi tjetër ku jetojmë.

E vetmja mundësi me e pa bashkë një pasanik me një lypës është kafeteria e lagjes, me të parin që i ulur mendjemadhësisht pi diçka dhe të dytin që me përulje i kërkon lëmoshë.

Në xhami, i shihje bashkë nën një çati. Ishin të barabartë para Allahut. S’kishte dikush vlerë më të madhe shoqërore se tjetri.

Fushë Kosova | Tjetër*

Nëse për shumicën prej nesh barazia është veç një fjalë goje që e merr era, ose që e harron koha nëpër statuse Facebook-u, në xhami kishte bile diçka reale. E ma merr mendja se po lëngojmë për ‘bile diçka’.

Rrjetet sociale po na e prishin edhe përbashkësinë më elementare mes nesh, atë të species. Atë lloj përbashkësie që na thotë: jemi njerëz, në fund të fundit. Dallimet mes nesh – sociale, politike, kulturore, ekonomike – po përjetohen si ekzistenciale. Shumica dërmuese e njerëzve që shohim në Facebook s’arrijnë me respektu as dinjitetin njerëzor të njëri-tjetrit. Sepse, besojnë veç pasivisht te dinjiteti njerëzor. E besojnë vetëm kur iu cenohet atyre apo të afërmve.

Shoqëria jonë është në shpërbërje. Në çintegrim e sipër. Ma merr mendja se kemi çka me mësu prej teravive e prej pesëvaklive. Kemi çka me mësu prej njëri-tjetrit.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: