Shfaqja teatrale “Të turpëruarit” është një pasqyrë e një shoqërie në kontradiktë me vetveten. Është një dramë që nuk ofron përgjigje të lehta, por që e zhvesh njeriun modern nga iluzionet e barazisë, tolerancës dhe progresit.
Më 17 mars në orën 20:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës është shfaqur premiera mysafire “Të turpëruarit”, në bashkëpunim mes artistëve nga Prishtina dhe Tirana. Regjisor: Altin Basha; aktorë: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj.
“Të turpëruarit” është një dramë që eksploron konfliktet e identitetit, religjionit, racës dhe klasës në një shoqëri pas 11 shtatorit të vitit 2001, ku kufijtë ndërmjet vetidentifikimit dhe perceptimit shoqëror janë gjithnjë e më të mjegullt. Ngjarja zhvillohet në një hapësirë intime, një dhomë, ku tensionet globale shndërrohen në drama personale, ku historia, ideologjitë dhe dëshirat përplasen në një darkë të vetme.
Në shprehje vjen edhe racizmi, dhe se si në Amerikë nuk është më thjesht verbal apo institucional, por shpesh fshihet pas gjuhës liberale dhe sipërfaqësisht të përfshirë. Edhe brenda rrethit të afërt të personazheve – që përfaqësojnë një Amerikë të arsimuar dhe artistike – paragjykimet dalin në sipërfaqe kur tensioni rritet. Gjuha e tyre, edhe kur është intelektuale, mbart një qasje kolonialiste ndaj “tjetrit”.
Si temë feja islame, nuk trajtohet në mënyrë apologjetike, por përballet si një realitet kompleks – për dikë burim krenarie, për dikë tjetër burim turpi.
Altin Basha, regjisor i dramës, ka thënë se kjo vepër provokon një diksutim, provokon një refleksion mbi forcën e religjionit, mbi sfidën që paraqitet para shoqërive dhe mënyrën se si perceptohet, mbi historinë e religjionit, mbi marrëdhëniet e njeriut më mënyrën sesi ai mund të ndryshojë, ose të jetë prezent si një vlerë përmbajtësore e njerëzimit në historinë e tij, kështu që shfaqja i prek të gjitha këto diskutime me shumë elegancë, me shumë mjeshtri, me shumë kulturë edhe sigurisht krijon para publikut një panoramë, një moment interesant informacioni, por edhe reflektim emocional dhe filozofik rreth këtyre temave.
“Ne mbetemi në mes një diskutimi historik në këtë dimension, sigurisht kjo nuk është shumë prezent në teatër dhe kjo e bën këtë vepër shumë specifike. Madje prej vitit kur është botuar është shfaqur në skenat botërore dhe pikërisht ka provokuar këto momente. Mendoj është një diskutim që mes nesh e kemi, në shoqëritë tona e kemi, mbi ato që i përmenda më parë dhe besoj që krijon diskutime, krijon refleksione për publikun shqiptar. Edhe sigurisht mbi çështjen e identitetit me mënyrën se si perceptohet te religjioni dhe marrëdhëniet me identitetin dhe shumë elemente të tjerë,” ka thënë Basha për magazinën Tjetër.
Adrian Morina ka thënë se regjisori bashkë me ekipin, me pajtimin e të gjithëve kanë vendosur për emrin ”të turpëruarit”, meqenëse në një formë ose në një tjetër, të gjitha personazhet që janë aty janë të turpëruar.
“Po flasim për një shfaqje e cila flet përmbi përkatësinë fetare, flet për identitetin e njerëzve, por në anën tjetër nuk është tekst që komunikon vetëm me një popull ose me një komb, është tekst të cilin nuk ke nevojë as ta kontekstualizosh dhe të provosh ta bësh më të afërt me publikun,” ka thënë Morina.
Ai ka thënë se drama i flet secilës shoqëri me problemet të cilat i ka edhe më tutje.
“Fatkeqësisht, ne e dimë për shqiptarët e Greqisë se si e kanë fshehur identitetin duke dashur që të fitojnë letrat në Greqi dhe kanë ndërruar identitet me emra, me mbiemra, pra është dashur ta mohojnë identitetin e tyre për t’u bërë pjesë e një shoqërie,” ka thënë Morina.
Tutje ai ka thënë se kjo shfaqje është dhënë shumë vite pas sulmeve të 11 shtatorit, pra një shfaqje ku pas këtyre ngjarjeve popullata myslimane, jo vetëm në Amerikë, por kudo në botë është sulmuar dhe paragjykuar fuqishëm, saqë njerëzit janë detyruar t’i ndërrojnë identitet e tyre ashtu siç e kemi personazhin e Amirit, i cili vendos të ndërrojë gjithçka, thjesht për të arritur në institucionet ku ai synon të jetojë e të punojë, që më vonë i kthehet në bumerang dhe në fund ai ndihet i turpëruar edhe për atë që është, edhe për atë që nuk është.
“Autori flet për të gjitha llojet e paragjykimeve dhe të turpërimit, por tema qendrore e kësaj drame është identiteti religjioz sepse lufta e civilizime po vazhdon edhe sot në emër të feve, por po them se të gjitha këto vlera bien poshtë nëse kthehemi vetëm pak mbrapa dhe e shohim se kush kemi qenë ne dhe cilat kanë qenë veprat tona, e kam fjalën për njerëzimin. Njerëzit e shtypur krijojnë njerëz të shtypur. Ky zingjir i skllavërimit nuk po ndalon, dhe nuk është lehtë me çrrënjos këtë marifet,” – ka thënë Morina për magazinën Tjetër.
Kjo shfaqje teatrale është ftesë për të reflektuar se sa të thella janë ndarjet që i kemi fshehur pas perdeve të korrektesës politike dhe sa e vështirë është të jesh i ndershëm ndaj vetvetes në një botë ku çdo identitet është një pazar politik.