Ekspozita “Testament”, e ndërtuar mbi portretet dhe dëshmitë jetësore të njëzet profesionistëve nga minoritetet rom, ashkali dhe egjiptian, përfaqëson më shumë se një shfaqje vizuale, ajo është një akt afirmimi, një gjest i thellë kundër harresës dhe një sfidë ndaj stereotipeve që prej dekadash rëndojnë mbi këto komunitete.
Nën syrin e mprehtë të fotografit Arben Llapashtica dhe nën kujdesin kuratorial të Eliza Hoxhës, kjo ekspozitë ngrihet si një testament i gjallë i talentit, përkushtimit dhe rezistencës.

Titulli i saj, “Testament”, nuk është zgjedhur rastësisht. Ai buron nga poezia me të njëjtin emër e poetit Kujtim Paqaku, një reflektim poetik që i jep zë historisë së përjashtimit, dhimbjes së trashëguar, por edhe krenarisë dhe dinjitetit që i ka mbijetuar kohës. Vargjet e tij shërbejnë si themel shpirtëror i ekspozitës, duke e kthyer hapësirën e galerisë “Qahili” në një altar të kujtesës kolektive dhe aspiratës për barazi.
Portretet janë realizuar në ambientet e përditshme të punës së protagonistëve, duke nxjerrë në pah jo vetëm personalitetin e tyre, por edhe dinamikën e jetës që ata ndërtojnë përtej paragjykimeve. Secila fotografi është një rrëfim, një dëshmi e potencialit njerëzor që lulëzon kur i jepet hapësirë dhe dinjitet.
Isak Skenderi – drejtor i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” – ka thënë se kjo ekspozitë është synimi, qëllimi, rruga ku duhet shkuar, Kosova e cila këtyre njerëzve pavarësisht prejardhjes, etnike, ngjyrës së lëkurës, gjuhës i jep mundësi të jenë të barabartë.
“Ne përmes kësaj ekspozite deshëm të tregojmë se Kosova mund të duket edhe kështu, në fakt Kosova është kjo, por, nuk është e plotë. Në anën tjetër ne ende e kemi margjinalizimin dhe sfidat e shumta me të cilat komuniteti romë ballafaqohet, si varfëria,” ka thënë Skenderi për magazinën TJETËR.
Ai më tutje ka thënë se hendeku shumë i madh i qasjes në arsim ose në punësim, ose në elemente të tjera të jetës publike krijon vështirësi, sepse për të tejkaluar këtë situatë ku shihen pjesëtarët e komuniteteve në rrugë, fëmijë nëpër semaforë duke kërkuar lëmoshë, familje të varfra. Ai ka shtuar se në këtë situatë duhet krijuar mundësi për një jetë dinjitoze këtyre komuniteteve.

“Duhet të mundësohet kjo nga institucionet shtetërore por edhe nga shoqëria. Kosova e cila për momentin përfaqësohet nga këta njerëz nëpër vendet e veta të punës, shumica e këtyre personazheve nuk merren me komunitetin, nuk punojnë vetëm për komunitete, janë kontribuues, janë pjesëtar aktivë në jetën shoqërore publike. Kemi mësues që punojnë në shkolla publike, policë që ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët e Kosovës, ministra në qeveri që punojnë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kjo është e ardhmja, ajo çfarë duam të shohim për të gjithë pjesëtarët e komuniteteve dhe jo vetëm,” – është shprehur ai.
Skenderi ka shtuar se pavarësisht tentimeve shoqëria nuk ua ofron këtë mundësi, është mjaft e vështirë pasi si pjesëtar i komunitetit rom, ashkali ose egjiptian, duhet të tentosh dy-trefish ose pesëfish më shumë që të arrish aty ku ndoshta për një shqiptar ose edhe serb është një rrugë më e lehtë.
Kiki Rrahmani ka thënë se ekspozita “Testament” është ekspozitë e cila njëfarë mënyrë gërsheton të kaluarën me të tashmen si dhe me të ardhmen, pasi dy personazhe të ekspozitës janë tashmë të ndjerë, që i takojnë të kaluarës siç është Kujtim Paqaku dhe Negjip Menekshe, pastaj të moshës së mesme të cilët i përkasin realisht të tashmes, si dhe personazhe të cilët janë në të ’20 dhe që pritet në të ardhmen të jenë arkitekt të jetës së tyre.
“Ekspozita “Testament” na lë të kuptojmë se si këto personazhe të komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë, mundem të ia dalin dhe të ngritën pavarësisht sfidave dhe barrierave të cilat i hasin gjatë jetës së tyre. Kjo ekspozitë na sjell një reflektim sa i përket edhe identiteteve të tyre të veçanta, siç janë romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët e mbi të gjitha luftën e tyre në këtë jetë për të qëndruar “Vertikalisht”,’ ka shtuar më tutje Rrahmani.
Ajo ka shtuar se është shumë e rëndësishme që të bëhet kujdes, qoftë me apo pa vetëdije të mos përdoren fjalë pezhorative për këto komunitete, të cilat mund të ndikojnë pikërisht edhe në vetëbesimin e tyre, po edhe në identitetin e tyre.
“Është mirë që të punojmë së bashku me komunitetet e po ashtu me institucionet e vendit, që t’u hapim rrugë dhe dyer që ta tregojnë punën dhe talentin e tyre dhe përkushtimin, që ndoshta me vite ndoshta nuk është zbuluar pse nuk kanë mundur ta shfaqin për arsye të ndryshme, qoftë për shkak të rrethit, qoftë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, apo edhe për shkak të paragjykimeve dhe bullizimit që e hasin çdo ditë. Është mirë të reflektojmë mbi ndërgjegjësimin apo edukimin e vetë neve dhe gjeneratave që do të vijnë, që t’i trajtojmë të gjithë dhe të kemi një shoqëri më të drejta sa më të barabarta” ka thënë Kiki Rrahmani për magazinën TJETËR.
Padyshim, një nga mesazhet më të fuqishme që buron nga kjo ekspozitë është ai i frymëzimit për gjeneratat e reja. Në sy të të pranishmëve, portretet u shndërruan në pasqyra të mundësive, dëshmi se pavarësisht rrënjëve të vështira, njeriu ka forcën për të ndërtuar një të ardhme ku vendin e paragjykimit e zë dinjiteti, e ku pengesat lihen pas për të çelur rrugë të barabarta për të gjithë.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).