“Muti im është mut i mirë. Muti yt është mut i keq.”
Qe kronologjia e rastit të Valon Sylës:
Më 28 qershor, e shtunë, u raportua se Valon Syla ishte arrestuar si i dyshuar për dhunë ndaj të dashurës së tij.
Më 29 qershor, e diele, ministrja Albulena Haxhiu e bëri një reagim për këtë rast duke e sharë Valon Sylën dhe duke e sulmuar Prokurorinë.
Më 30 qershor, e hënë, reagoi “për publik, miq dhe media” vetë Valon Syla.
Tribalizimi
Ky rast u tribalizua në fillim prej kolegëve gazetarë të Valon Sylës. Përkundër që lajmi ishte tronditës – sepse bëhej fjalë për një figurë publike me goxha peshë – shumë pak prej tyre morën mundin që ta dënonin rastin.
Kjo është hera e parë në këtë rast kur na u tha “muti ynë, është mut i mirë!” Por, kjo u tha pëshpëritshëm. Me një farë hezitimi e turpi. Dhe përveç kësaj, disa gazetarë – madje edhe të afërt me Valon Sylën – reaguan. Kjo dha pak shpresë se kundërshtimi i dhunës në familjes s’do të shembej si kullë prej letre. Se ndoshta, “edhe muti ynë është i keq”.
Por, më pas tribalizmi na u rikthye edhe më i fortë. Reagoi ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu. E quajti Valon Sylën dhunues dhe e sulmoi Prokurorinë që s’kishte kërkuar paraburgim për të.
Qëllimi i Haxhiut na shfaqet haptas: ajo po e përdorte dhunën në familje si mjet për të sulmuar dy kundërshtarë politikë (Valon Sylën dhe Prokurorinë). Po e përdorte dhunën në familje në një rast konkret për të përfituar politikisht. Dhe përveç kësaj, përmes atij reagimi politik po e pamundësonte një reagim shoqëror mbipartiak. S’është aq naive Albulena Haxhiu sa të mos e kuptonte se po e politizonte rastin.
Haxhiu s’ka reaguar kur një analist mbështetës ndaj pushtetit relativizonte vrasjen e grave. S’ka reaguar edhe në plot raste tjera kur duhej të reagonte.
Kur me gjakftohtësi e politizon dhe tribalizon një rast të dhunës në familjes, atëherë a beson përnjëmend në luftën kundër saj?!
Kështu prej Haxhiut e teposhtë edhe VV-ja tha: “muti ynë është mut i mirë; muti juaj është mut i keq!”
Reagimi skandaloz
Reagimi i Valon Sylës që erdhi të hënën ishte skandaloz. Zor se mund të quhet shfajësim. Zor se mund të quhet apologji. Por, kollaj mund të quhet politikë.
Syla shkroi fjali aq konfuze sa të linin pa mend.
“…e dashura jeme është shumë zojë dhe e veçantë për të qenë unë i dhunshëm…” – thotë njëra prej tyre.
Kjo fjali qartazi na i paraqet paragjykimet seksiste të Valon Sylës. Qartazi i bën me faj gratë që pësojnë dhunë nga burrat e tyre. Nuk janë “shumë zoja”.
Të vazhdojmë më tej. Ai thotë që nuk është i dhunshëm “në kuptimin që mund të kuptohet në publik si boksa e shkelma apo rrahje… ky rast nuk ka të bëj me një gjë të tillë, por më shumë ishte një fjalosje apo përlamje… me ngrehje krahu (tjerat i gjeni në dosje të gjyqit)…”
Çka të themi?! Më shumë tingëllon si fjali e humorit të zi nga një komedian, se nga dikush që sapo kishte dalë prej burgut për dhunë në familje.
Më pas, Syla e ekspozon veten si person injorant që s’e di çka është dhuna në familje.
“…u akuzova për dhunë në familje, pa qenë ende në një marrëdhënie familjare e as bashkëjetese”
Për t’u konsideruar diçka si dhunë në familje (ang. Domestic violence) mjafton që të ketë marrëdhënie intime apo të afërt mes viktimës dhe agresorit. Dhunë në familje cilësohet edhe ajo mes ish të dashurve, se lëre më mes të dashurve. Si duket, Valon Syla u ngatërrua prej mbiemrit “familje” (dhuna në familje” dhe besoi që vetëm dhuna mes njerëzve me lidhje familjare vlente.
Nejse.
E përkundër që reagimi i Valon Sylës ishte skandaloz, i mori tre mijë pëlqime. Shumë prej të cilëve ishin nga kolegët e tij, që nesër a pasnesër, do t’iu duhet të flasin për dhunën në familje ndaj grave dhe ta denoncojnë atë. Por, a iu beson kush se?!
Çka të themi tjetër, allahile?! Ftojmë për një fjalë rasti z. Tomë Gashi!