E shtunë, 18 Tetor, 2025

Udhëzim për votim

PolitikëUdhëzim për votim

Shkruan: Gazmend Demolli

Një provë e thjeshtë për çdo kryetar është a e di sa kohë bëjnë gjërat për t’u bërë: a di të masë kohën dhe të sekuencojë punët. Projekti serioz nis me lejet, fondet, furnizimet dhe ekipin gati; ndërhyrja në hapësirë publike bëhet me një hyrje e një dalje, pa prishur shërbimet, pa zvarritur funksionimin. Kur çdo gjë është e përgatitur, kantieri ngrihet e mbyllet shpejt, hapësira i kthehet publikut.

Edhe kur gatuan duhet të dishë sa kohë duhet për përgaditje, sa kohë duhet për të zier. Supa servohet e para, por përgatitet e fundit sepse merr shumë pak kohë. Dhe nëse nuk i ke shti bukët me ardhë një ditë më parë, do të duhet të shkosh te furra, sepse marrin kohë. Kuzhinieri i mirë e di kur duhet me ia nisë dhe kur kryhet.

S’ka asgjë më të shëmtuar dhe më neveritëse se kantieret që rrinë hapur me muaj për një leje që mungon, një pagesë që s’kalon. E rëndojnë jetën e qytetarit dhe mbajnë peng mjete e punëtorë që duhen gjetkë. Mateni aftësinë e drejtuesit me kohën që i merr ta mbyllë kantierin—jo me fjalët, por me kthimin e shpejtë të qytetit te qytetari.

Fondet publike nuk janë këtu që një kryetar të lë emër e gjurmë; ato nuk janë për spektakël që thith mjetet e parashikuara për të përditshmen: ujin, kanalizimin, trotuaret, hapësirat e gjelbra.

Prej 25 vitesh po shohim të njëjtin ritual: prishen bulevarde, priten drunj, shkatërrohet gjelbërimi për t’u shtruar me pllaka të bardha sheshe të pahijshme e pa hije, vetëm që të thuhet e bëri filani. Shpesh, sheshi është shumë më i panevojshëm se rruga që mbyllet, se lisat që u prenë, se gjelbërimi që u betonu.

Nuk e kuptoj nga është importuar ky model. Për Përparim Ramën, Prishtina don betonim të plotë—bulevardi deri te Rrethi i Flamurit, pastaj pllatoja e Kurrizit, pllato të tjera te Pallati i Rinisë, lidhja me Dragodan, e deri te segmenti që shkon drejt Emshir—gjithçka pllakë pas pllake, asnjë vijë gjelbërimi. Qytet gurthyesish.

Bulevardet e mira janë hibride e të gjalla. Champs-Élysées, Fifth Avenue, Ku’damm, Oxford Street—rrugë për automjete dhe trotuare me jetë. Ka edhe zona brenda qendrave që, për shkak të aspektit komercial, janë shndërruar në hapësira të betonizuara — galeri komerciale në ajër të hapur. Por ato nuk kanë një destinim publik për qytetarin, por për konsumatorin dhe tregtarin.

Përtej betonit horizontal – do të thoshte Rama – e kemi edhe betonin vertikal. Ndërtesa mbi ndërtesë në hapësira ku s’është lënë vend për shkolla, për çerdhe, për treg të gjelbër, për fusha sportive publike.

Ku do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë ose çerdhe familjet që do të instalohen në kompleksin e ri te Ramiz Sadiku? Te Noya bar? Nuk është paraparë as një korsi për transport urban, as hapësirë për parkim, asgjë publike. Beton vertikal pa jetë: pa zhurma fëmijësh, pa cicërima zogjsh.

Nuk e di si jepen leje për ndërtime kaq të larta kur zjarrfikësit nuk kanë mjete për të ndërhyrë në ato lartësi, nuk kanë shkallë aq të larta? Kjo nuk është urbanizim. Krim.

Çerdhet duhet të jenë prioritet absolut në mandatin e ardhshëm. Arsimi i hershëm është i detyrueshëm me ligj; komuna duhet ta zbatojë për të gjithë, jo tek-tuk.

Barazia nis që në moshën më të vogël: çdo fëmije duhet t’i mundësohet aftësim i drejtë dhe mundësi të barabarta me të tjerët. Nuk pranohet logjika sivjet hapim një çerdhe këtu, e në Emshir a Kolevicë pas dhjetë vitesh, sepse kështu prodhohen gjenerata të pabarabarta. Barazia është thelb për fëmijët. Çeku premton ndërtimin e të paktën dy çerdheve publike dhe me bazë në komunitet për secilën lagje. Komunat e udhëhequra nga VV kanë performuar në këtë drejtim. Shtimja ka shtuar 5-6 çerdhe, Podujeva 7-8, Prishtina hiç.

Barazia vlen edhe për qëndrimin tërëditor. S’mund të ketë tërëditor vetëm në disa zona elitare, ndërsa tjerat presin. E gjithë komuna duhet të përgatitet dhe të nisë bashkë. Si i thua qytetit: Paranë e përbashkët po e çoj te kjo lagje—çerdhe, tërëditor, mermer—kur tjerat s’kanë shkolla, s’kanë ujë, kanalizim, ndriçim, transport? Barazi ose asgjë.

Çdo lagje duhet t’i ketë shërbimet e veta dhe të ndihet e barabartë në investime. Këtu s’ka pazare. Edhe Çeku, edhe Urani e shohin lagjen si njësi esenciale veprimi. Çeku, përmes një lloj bashkëpunimi me qytetarët—kartela e lagjes—kërkon orientim zhvillimor nga poshtë-lart; Urani, përmes formulës së Barcelonës—superblloqet—e zhvillon lagjen nga brenda, e fortifikon dhe e izolon nga tërësia.

Nuk besoj se e njëjta skemë si në Barcelonë funksionon njësoj në Prishtinë: arteriet nuk janë mjaftueshëm të qarkullueshme për t’i shtuar gjithë tranzitin që sot kalon përmes lagjeve. Por është një ide që duhet shqyrtuar.

Sigurisht, për disa zona mund të jetë e dobishme; por, bie fjala, me Uranin do ta kesh më të vështirë të kalosh shkurtimisht nëpër Dardani për t’u kthyer te bulevardi te posta.

Është pikërisht e kundërta e Përparimit: Përparimi synon të bllokojë rrugët kryesore duke e futur trafikun nëpër lagje; kurse Urani i fortifikon lagjet dhe e dërgon trafikun në rrugët kryesore.

Shpesh në lagje janë bërë investime në kënde lojërash, banka e miniparqe; ajo që ka munguar është përkujdesi. Pronës publike i është kthy shpinda: trotuare të çara ose të munguara, bërllok i pambledhur, gjelbërim i lënë pas dore, drunj e lule pa mirëmbajtje, hapësira të përbashkëta pa standard.

Besa Shahini e ka një ide shumë të rëndësishme në këtë mes, sidomos në mirëmbajtjen e gjelbrimit – hapjen e puseve të shumta për ujitje. Sepse gjelbërimi është uji. Pa ujë ka gjelbrim vetëm deri në Qershor, pastaj pluhur dhe djerrina. Bërllog që nuk dinë të menaxhojnë. Një ndërmarrje të re komunale të dedikuar posaçërisht për mirëmbajtjen e hapësirave publike, nuk është ide e keqe e Çekut.

Me Ramën ky kujdes ka munguar në tërësi – sidomos në dy vitet e fundit, prej shkëputjes së koalicionit, kur rrëshqitëm drejt një gremine qeverisëse.

Dhe këtu shtrohet pyetja: me kë do të qeverisë Rama nëse fiton, por edhe me kë do të qeverisë Urani nëse fiton. LDK dhe PDK mund të marrin shumicën vetëm nëse bëhen bashkë, ndoshta edhe me një partner tjetër; vetëvetiu vështirë i dalin numrat.

A na pret një rindarje e pushtetit dhe, nëse po, a do të prodhojë të njëjtin rezultat: punë të lëna përgjysmë në mes të mandatit? Para së gjithash duhet ditur nëse do të mund të bëhen bashkë për ta nisur punën. Deri dje s’kanë arritur as t’i votojnë buxhetet me kohë, as ta mbikëqyrin ekzekutivin si duhet. Kanë ndarë ndikimin dhe postet. Kanë ndarë edhe të punësuarit familjarë. Pyetja është e thjeshtë: a bëhet shumicë për punë, apo shumicë për plaçkë?

Qeverisja e mirë nis me qytetarin: interes publik në qendër, punë të kryera me kujdes, jo me ngut e jo për plaçkë. Financat e qytetit duhen menaxhuar drejt e me kursim. Sot, Rama e lë mandatin me borxhe, me fatura të papaguara dhe me punë shkel e shko që do t’i kushtojnë qytetarit; shpërndan subvencione andej-këtej, premtim për trafik urban falas kur ndërmarrja punon me humbje.

Edhe Urani premtoi po të njëjtën gjë—transport falas—duke e kthyer autobusët në hapësira reklamuese: ndotje vizuele.

Ndotja vizuale jo që s’ka munguar. Prishtina—qyteti i llogove të mëdha të mobishopave, barnatoreve, neonit dhe pllakatave zgjedhore. Në mesin e shumë shëmtive, ajo që më irriton më së shumti është mbipopullimi i hapësirës publike me reklama të shfrenuara: tabela gjigante, neon kiç, pa asnjë kufizim, pa asnjë logjikë urbane.

Dhe këtij bërllogu vizuel Urani don t’i shtojë edhe reklamat nëpër 200 autobusë.

Autobusët duhen—dhe trafiku urban duhet shtrirë më tej, edhe në zonat më të largëta, në gjithë hapësirën metropolitane, deri aty prej nga vijnë qytetarët për të punuar në Prishtinë. Sistemi me parapagim, bileta mujore e vjetore—po, patjetër.

Por s’kemi nevojë t’i kthejmë autobusët në panele reklamuese të Devollit a të kujtdo tjetër. Jo çdo gjë duhet blihet me para. Hapësira vizuale është hapësirë publike; abuzimi me të është problem i madh.

Secili do të gjykojë njërin a tjetrin sipas kutit të vet dhe do të vendosë në këto zgjedhje. E rëndësishme është që vota të jetë e menduar mirë dhe që të gjithë të dalin të votojnë. Është kohë vendimtare: mënyra si votoni do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën tuaj të përditshme—dhe në jetën e fëmijëve tuaj.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: