E diel, 20 Prill, 2025

Urime, fituam! Por, ka diçka serioze që s’shkon me tifozët tanë

KulturëUrime, fituam! Por, ka diçka serioze që s'shkon me tifozët tanë

E shkatërruam Islandën 5-2 me rezultat të përgjithshëm. Islandën që Shqipëria e ka mposhtur veç njëherë në katër ndeshje. Islandën që më 2016 kishte bërë kërdi në Evropian. Islandën e Albert Gudmundssonit (28 milionësh) e të supertalentit Orri Oskarsson.

Kosova u ngjit në Grupin B të Ligës së Kombeve për herë të parë në histori.

Por, ta ndalim pak këtë eufori. T’i themi stop këtij festimi për nja dy sekonda reflektim. Ku në dreq ishim para dy-tre ditëve?

Ishim në ferr.

Ofendimet që bëheshin ndaj disa prej lojtarëve kryesorë të kombëtares ishin të një niveli të pabesueshëm. Në shënjestër ishin Milot Rashica, Valon Berisha e Leart Paqarada.

Më besoni, s’ishin thjesht ofendime. Ishin poshtërime të atilla që prekin dinjitetin më elementar të një njeriu.

Isha prekë personalisht. Isha prekë aq shumë sa i luta njerëzit bëra be bile (Pashë zotin! Pashë krejt!) – që të mos shanin.

Jam i sigurt që klima e tillë helmuese do ta ndikojë disponimin e lojtarëve por edhe të tifozëve. A e patë sa pak tifozë kishte në Murcia sot? A e keni parë çfarë atmosfere e keqe ishte në Prishtinë para tre ditëve?

Prej kah i gjithë ky helm?! Çfarë borxhi na kishte Valon Berisha që e kishte lënë Norvegjinë për të ardhur te Kosova?! Çfarë faji na kishte Rashica?! Çfarë borxhi na kishte cilido prej lojëtarëve të kombëtares tonë?

Edhe Ismet Munishi s’e harroi poshtërimin e para disa ditëve.

“A pi fshini komentet e statusat për këtë djalin kadale…”  – shkroi baba’ në Facebook. E kishte për Rashicën – futbollistin tonë që po shkëlqente në Murcia. Vushtrriasi e krijoi golin e parë me anë të një pasimi fantastik dhe asistoi mjeshtërisht për të dytin.

Midis kësaj euforie ndoshta është koha që të ndalemi e të pyesim: çka ishte ai turr ashtu? Çka ishin ato tendenca poshtëruese ndaj lojtarëve tanë? Pse kaq shumë arbitraritet në gjykimet tona?

Unë nuk i di arsyet. Ndoshta ka të bëjë me përshpejtimin dhe përforcimin e sentimenteve prej algoritmave të Facebook-ut?! Ndoshta ka të bëjë me ndonjë figurë publike që e korrupton opinionin publik?! Që jemi kolektivisht dashakëqinj s’e besoj. Dhe e di që ato komente s’ishin të natyrshme; s’ishin normale. Ka diçka serioze që nuk shkon këtu e të cilën duhet të mundohemi ta kuptojmë.

Natën e mirë dhe urime të përzemërta!

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: