“Veton Surroi ia qet pikën me Podkast” – ishte titulli i këtij shkrimi gjatë kohës që Podkasti i fundit i Veton Surroit ishte LIVE në YouTube. Por, më pas ndodhi diçka fort e çuditshme dhe na u desh ta fshinim. Në një anë, views-at i ranë drastikisht ndërsa në tjetrën pika u bë pikëpyetje.
3211 vetë po e shikonin podkastin e Veton Surroit LIVE në kanalin e KTV-së në YouTube. Numri ndryshonte kohë pas kohe. Shkonte në 3230, ulej në 3190. Gjë e kuptueshme sepse ishte LIVE.
Shkrova atë që shkrova dhe u ktheva të nesërmen me bindjen se përveç atyre tremijë e kusur vetëve do ta shikonin edhe mijëra tjerë. Do të shkonte numri në dhjetëmijë a njëzetmijë.
Por, fatkeqësisht ndodhi diçka e papritur. Numri ishte ulur në 1400 të nesërmen. Dhe shkoi në 1700 të pasnesërmen. Pra, Veton Surroi s’po e çon peshë YouTube.
Se çka leshin ndodhi këtu, është mirë dikush që merr vesh në mediat sociale të më tregojë. I ka blerë views-at e transmetimit Live?! A mos ia vodhi dikush? S’i janë numëruar shkaku i një padrejtësie historike nga YouTube? Si ka mundësi që i kishte 3200 duke e shikuar në një moment të dhënë, ndërsa tri ditë më vonë totali i shikimeve ishte 1400?
2003 flashbacks
Podkasti i Surroit titullohet “Pikë”, dhe duhet ta themi se krahasuar me pjesën dërmuese të përmbajtjes shqip që shfaqet në YouTube është larg më cilësor në çdo drejtim. Nuk të vjen turp pse po e sheh.
Në episodin e fundit, i ftuar ishte Florian Bieber – studiuesi që na shfaqet përjavshëm në portalet tona me ndonjë deklaratë për dialogun Kosovë-Serbi, autoritarizmin e Vuçiqit e kështu me radhë.
Surroi e nis bisedën duke i kërkuar të ftuarit që ta imagjinojë se çka mund të ndodhë me Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030. I gjithë episodi është shtjellim i mëtejmë i kësaj pyetjeje. Fillim premtues? Po, sikur të mos futej në hundë gjithë ajo pedantri e nikoqirit. Një pedantri që s’e lejon të pulis as kapakët e syve shkujdesshëm, se lëre më të flas pak më shpejt a të bëj ndonjë gjest që inkurajon të ftuarin për më pak formalitet.
Qartazi, Surroi s’është në rrjedha me podkastët popullorë të politikës në botë. Pedantria e tij është anti-podkast. Ai po i thoshte të ftuarit ta imagjinonte vitin 2030 por vetë po imagjinonte sikur ishte në vitin 2003.
Për më keq, më vonë merret vesh që biseda ka strukturë rigoroze dhe është tepër e parashikueshme. Ka një mungesë serioze të energjisë. Podkastet në përgjithësi e kanë në thelb edhe ndërveprimin sa më të natyrshëm mes njerëzve të pranishëm. Ndërveprimin njerëzor mes tyre. Një goditje në gjithë atmosferën gatitu-mbrapa-kthehu të intervistave klasike Por, Surroi përballë Bieberit ishte aq i ngurtë sa edhe intervistën më klasike në televizion do ta bënte të dukej si podkast.
Për me lehtësu deridiku përvojën, ne propozojmë që ta ndërroni shpejtësinë e videos në 1.25 dhe të mbyllni sytë. Më mirë? Normal që më mirë.
Jo pikë, pikëpyetje
Diçka po na bënte të ndiheshim çuditshëm përgjatë 53 minutave të këtij episodi. Veton Surroi megjithëse jepte ndonjë koment të shkurtër aty-këtu, përgjithësisht kishte marrë për vete rolin e intervistuesit. Ishte ai që bënte pyetje dhe mysafiri thjesht përgjigjej.
Surroit i vërehet nevoja që të intervistohet. Ka dëshirë që njerëzit të kenë dëshirë për t’ia dëgjuar mendimin. Prandaj, Surroi në rolin e intervistuesit dukej si detyrë – ndoshta? – terapeutike…
Por, në minutën e 53 ai ia dorëzon “radhën e pyetjeve” mysafirit. Çka?!!! Po, Veton Surroi ia dorëzon “radhën e pyetjeve” mysafir, pra i thotë pyetëm diçka i nderuar. Dhe kështu na zbulohet edhe thelbi i gjithë podkastit: ai fton këta njerëz në emision vetëm e vetëm që për dhjetë minutat e mbetur të pyetet prej tyre.
Shiheni fytyrën e Surroit kur i kërkon Bieberit që t’i shtrojë pyetje:
Shiheni kur përgjigjej Bieberi në pyetjet e tij:
A iu rekomandojmë që ta shihni këtë podkast? Po, plotësisht.