Rezultatet u zgjedhjeve të 9 shkurtit u çertifikuan. Pritet formimi i një legjislature të re, prej të cilës mund të formohen me Qeveri e me institucione tjera e me të ardhme të Kosovës. Cili do të ishte koalicioni i duhur sipas magazinës Tjetër?
Është thënë edhe më herët këtu në Tjetër se liderët e partive politike në Kosovë – pa përjashtim – duken të rraskapitur. Sikur me zor janë aty ku janë. Sikur po e shtyjnë dita-ditës. Sikur thjesht e presin fundin e muajit që ta marrin rrogën.
Të bëhemi sikur e kanë një trohë energjie.
Ka një elefant në dhomë sa i përket negociatave për këto zgjedhje. Nuk është fakti që vitin tjetër i skadon mandati presidentes së Kosovës. Është fakti që vitin tjetër i skadon mandati si presidente Vjosa Osmanit – partneres kryesore të Albin Kurtit. Dhe këto dy fakte s’janë as afërsisht e njëjta gjë.
I pari na thotë që është obligim i gjithë partive parlamentare të gjejnë një zgjidhje. I dyti fakt na thotë që është obligim vetëm i Albin Kurtit.
Eh, këtu flen lepuri.
Rrokada e madhe
Vetëvendosjes i duheshin përnjëmend 500 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Albini s’bënte hajgare kur i luste qytetarët që t’ia jepnin. Me ato 500 mijë vota (rreth 60%) ai do ta rimerrte pushtetin që veçse e ka në dorë. Vetëm me 80 deputetë (përmes pakicave), Kurti do të kishte vota edhe për presidentin/en.
Sepse – s’di sa e mbani mend – herën e kaluar Vetëvendosje mori edhe më shumë se që i takonte. Për zgjdhjen e presidentes Osmani u ndihmua nga LDK-ja, disa transferime deputetësh opozitarë dhe disa deputetë minoritetesh.
Tash, duket që s’ka vota as për formim të Qeverisë. E lëre më…
Mirëpo, problemi është se Vjosa Osmani ende mbetet partnere politike e kryeministrit Kurti. S’mund të bëhemi papritmas sikur ajo s’ekziston hiç si lojtare politike. S’mund të bëhet as Albin Kurti.
Për të shmangur si zgjedhjet ashtu edhe konfrontimin Kurti-Osmani duhet një rrokadë që do ta pajtonte edhe opozitën: arrihet marrëveshje që Kurti ta zëvendësojë Osmanin si president, dhe Osmani-Kurtin si kryeministre.
Ideja është kjo: Vetëvendosje bën koalicion qeveritar me PDK-në ose LDK-në. PDK ose LDK marrin pozitën e kryekuvendarit dhe disa ministri në Qeverinë e Re. Albin Kurti merr detyrën e kryeministrit, me zotimin që dorëhiqet vitin tjetër për t’u bërë president sapo t’i dalë mandati Vjosa Osmanit. Osmani bëhet kryeministre.
Nuk është sekret që Kurti s’shihet me sy të mirë nga administrata Trump në ShBA, e as nga BE-ja që na ka vënë sanksione. Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani konfrontimet më serioze me Kurtin i ka pasë pikërisht për raportet me aleatët. Ajo është larg më e pranueshme se Kurti për secilën prej partive opozitare – gjë që natyrisht, do ta shëndoshte paksa raportin pozitë-opozitë. Më e rëndësishmja, është më e pranueshme edhe për partnerët ndërkombëtarë. Mos harroni: këto janë rrethana alarmante gjeopolitike për Kosovën.
Kurti president? E dimë që tingëllon keq. Por, Kosova ka pasë president më përçarës se Kurti, dhe na besoni që s’ishte Rugova… as Atifetja, as Fatmir Sejdiu, as Behgjeti.
Për më shumë, Kurti këto katër vjet e dëshmoi që është disi – s’po dimë si ta themi – shumë i madh për probleme ‘të vogla’ si qeverisja e vendit. Ai është më shumë njeri i forumeve, konferencave, përkujtimeve e fjalimeve frymëzuese.
Nëse partitë politike parlamentare nuk gjejnë zgjidhje edhe për pozitën e presidentes, atëherë na pret një tjetër vit polarizimesh e përçarjesh që nxiten prej zgjedhjeve. Polarizime e përçarje që veç sa e rrisin pamundësinë që të ketë zgjidhje.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).