Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 8 marsit e shkrepi e më pas e postoi një fotografi me agjentet e AKI-së. Një fotografi e çuditshme, thënë më e pakta. T’i bëjmë anatominë asaj fotografie e atij veprimi.
Fotografia i ekspozon rreth tridhjetë gra nga prapa dhe presidenten tonë të dashur që e vetme ishte kthyer përpara.
Meqë është kuptu se populli ynë i ka dobësi fotografitë me sektorin e sigurisë – policë, ushtarë në poza sa më rrëqethëse – presidentja ndoshta mendoi se do ta kallte rrjetin. Ishin plot gra. Plus komandantja supreme. Plus të kthyera pas për ruajtje të privatësisë. Plus 8 marsi. Plus Serbia.
Megjithatë, gjërat s’shkuan ashtu siç ndoshta mendoi presidentja.
Deri tash, postimi i saj i mori vetëm 873 pëlqime. Janë edhe 125 komente, prej të cilave plot shprehin mllef e kritika me fotografinë. Postimi i kaluar me police i ka më shumë se dy mijë pëlqime.
E gjithë logjistika e ndërtimit të kësaj fotografie ndjell siklet.
Presidentja duke i thirrë të gjitha agjentet e AKI-së. Duke iu thënë të bënin fotografi të kthyera prapa. Ndonjëra prej tyre duke shprehë dyshimin mos nuk bënte kështu por duke e mbajtë për vete kur sheh shefat e tij servilë që s’guxojnë të flasin. Fotografi që iu thotë qeshni ose thoni ‘çiiiizë’.
Ish-dikushi në AKI që tash portalet po e quajnë ekspert të sigurisë, Burim Ramadani, e cilësoi si “shkelje serioze ligjore” këtë fotografi. Por, ndoshta s’duhet me marrë seriozisht sepse tha “e paprecedent si asnjëherë më parë” që i bie se s’i mendon gjërat thellë.
Por, mund ta shohim me sytë tanë që gratë në fotografi janë të identifikueshme. Ta zëmë, nëse ndonjëra prej tyre po punon me identitet të rremë për ndonjë rast… të përfshirët mund ta shohin mos është si ndonjëra prej grave aty. Elementet identifikuese janë të shumta: koka, flokët, postura, gjatësia, trashësia, etj. etj.
Për hir të së vërtetës, Presidenca e lëshoi një reagim duke thënë që publikimi i fotos në fjalë nuk ekspozon identitetin e tyre.
“Për më tepër, kjo foto është bërë dhe dërguar nga AKI-ja dhe (është postuar) pas vlerësimit të tyre se nuk përbën ekspozim të identitetit.”
S’ka hiç lidhje çka thotë AKI-ja. Aty mund të jetë dikush që s’do t’ia prishë presidentes Osmani. Lidhje ka çka na thotë mendja e shëndoshë. Dhe kjo mendje e shëndoshë qartazi mund të identifikojë gratë e kthyera pas.