Shkruan: Gazmend Demolli
Duket se topi është te Gjykata Kushtetuese, dhe asgjë nuk do të lëvizë derisa ajo të japë përgjigje se a mund të votohet me votim të fshehtë apo jo. Si zakonisht, Gjykata pritet t’u përgjigjet edhe pyetjeve që nuk i janë bërë, duke dhënë kështu një nxitje për fillimin e konstituimit të institucioneve.
Herën e fundit kur u pyet për këtë çështje, Gjykata dha një zgjidhje që i përshtatej situatës së atëhershme, por ajo ishte e përkohshme dhe jo largpamëse. E zgjidhi problemin e momentit, duke u anuar politikisht, por krijoi ngërçe të reja për të ardhmen, sepse nuk ishte as e drejtë, as logjike, as politikisht e qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të vazhdojë të shkaktojë bllokada sot dhe shpesh në të ardhmen. Për më tepër, ajo nuk është demokratike.
Problemi qëndron te fakti se mazhorancat nuk dallohen qartë në shikim të parë, dhe shpesh, ndoshta gjithmonë, do të nevojiten aleanca mes partive për të formuar qeverinë pas konstituimit të Kuvendit. Prandaj, nevojitet një zgjidhje afatgjatë që e lehtëson jo vetëm konstituimin e Kuvendit, por edhe zgjedhjen e kryetarit të tij. Në demokracitë e avancuara, që nga konstituimi i Kuvendit, krijohet një ide se si mund të duket mazhoranca e ardhshme.
Si funksionon kjo në demokracitë e avancuara?
Në shumicën dërrmuese të vendeve, për kryetar të Kuvendit propozohen disa kandidatë dhe zgjedhja bëhet me votim të fshehtë. Mund të ketë forma të ndryshme të balotazhit, por kur mbeten dy kandidatë, fiton ai që merr shumicën e votave.
Vetëm Gjermania e zgjedh kryetarin e Kuvendit me një votim “po” ose “jo” për kandidatin e propozuar nga partia më e madhe. Megjithatë, ka pasur raste, si në vitin 1954, kur është votuar për më shumë se një kandidat, pra ky model nuk është i ngurtë, por bazohet në konsensus.
Mbretëria e Bashkuar e ndryshoi procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në vitin 2001, duke e bërë atë më konsensual. Kandidaturat kërkojnë të paktën 12 nënshkrime, ku 3 prej tyre duhet të jenë nga parti të tjera. Në vende të tjera, partitë propozojnë kandidatët e tyre dhe shkohet në votim të fshehtë.
Unë mendoj se edhe në Kosovë duhet të vendoset një proces ku kryetari i parlamentit zgjidhet me votim të fshehtë mes disa kandidatëve. Kisha propozuar që çdo deputet që mund të mbledhë nënshkrimet e një të katërtës së deputetëve (të cilët nuk do të mund të japin më shumë se një nënshkrim), pra 30 nënshkrime, mund të kandidojë për kryetar të Kuvendit. Ky rregull do të sillte dy deri në tre kandidatë dhe, me një zgjedhje të fshehtë, do të zgjidhej ai që fiton më shumë vota. Zgjedhja duhet të jetë e fshehtë çdo herë kur bëhet mes kolegëve.
A është e mundur? A do të ishte kushtetuese?
Kushtetuta mund të interpretohet sikur lejon propozimin e vetëm një kandidati nga partia ose aleanca më e madhe. Por unë them se ajo nuk e ndalon të kundërtën. Në Kushtetutë nuk thuhet shprehimisht se partitë e tjera s’mund të propozojnë kandidatë të tjerë. Nëse nuk është e ndaluar qartazi, për mua kjo do të thotë se është e lejuar. Është rregullorja e Kuvendit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e kanë kufizuar këtë proces, duke e bërë atë, sipas meje, joefikas dhe jodemokratik.
Prandaj, është koha që Gjykata Kushtetuese ta rishqyrtojë këtë mundësi dhe ta shpallë kushtetuese. Më pas, rregullorja e Kuvendit duhet të ndryshohet me procedurat e reja. Kur të ndryshohet, mund të shtohet edhe një rregull që komisioni për votimin e fshehtë në seancën konstituive të përbëhet nga deputetët më të rinj të partive, duke zgjidhur kështu edhe këtë pengesë të vogël për të ardhmen.
Për të ndryshuar rregulloren, Kuvendi duhet të jetë i konstituuar, gjë që është pak e vështirë me rregulloren aktuale. Kjo kërkon marrëveshje politike dhe një debat të mirëfilltë.
Shumë probleme po dalin sepse ligjet dhe rregulloret nuk diskutohen siç duhet, as nuk lexohen me kujdes, por vetëm votohen shpejt e shpejt. Pa debat të thellë, është e vështirë të kuptohet plotësisht ajo që miratohet.
Ka gjasa që kjo situatë të na çojë në zgjedhje të reja, nëse jo tani, atëherë shumë shpejt. Por ka edhe një çështje tjetër që mund të zgjidhej me marrëveshje: heqja e pragut elektoral.
Kalimi nga metoda Saint-Lague në D’Hondt ka krijuar një lloj pragu elektoral, edhe pse të ulët, sepse favorizon partitë më të mëdha për ulëset e fundit, duke e bërë praktikisht të pamundur për një parti me më pak se 1.5% të marrë ulëse.
Anashkalimi i pragut me aleanca të panatyrshme dhe lista që ndryshojnë vazhdimisht është më i dëmshëm sesa heqja e pragut. Për shembull, Nisma, pa prag, me 1.8% të votave në zgjedhjet e kaluara, do të luftonte për një ulëse dhe ndoshta nuk do ta fitonte. Me prag dhe manovra, ajo mori 3 ulëse. Lista për Familjen, nga ana tjetër, pa aleanca të favorshme, mund të kishte fituar 1 ose 2 ulëse pa prag.
Mbi të gjitha, heqja e pragut u hap rrugë forcave të reja politike, duke e bërë skenën politike më dinamike. Sot, një parti e re e ka pothuajse të pamundur të hyjë në garë dhe të fitojë ulëse në Kuvend pa vite të tëra përpjekje.
Sido që të jetë, shpresoj që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë me përparësi gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe që deputetët e zgjedhur të gjejnë vullnetin për konsensus, për të bërë disa ndryshime të rëndësishme si këto që përmenda, duke krijuar kështu një bazë të fortë për të ardhmen.