E shtunë, 2 Gusht, 2025

Zgjidhja duhet të jetë e përhershme (2)

PolitikëZgjidhja duhet të jetë e përhershme (2)

Shkruan: Gamend Demolli

E lexova opinionin e z. Enver Hasani. Ka mundur të jetë thjesht një tweet, ose hajt, dy. I dobët. Një tweet për refuzimin e tij të realitetit të ri të njohuri-nxënies së asistuar nga AI: të dalësh sot kundër përdorimit të AI është njësoj sikur të dilje kundër bibliotekave pardje në Aleksandri, njësoj sikur të dilje kundër internetit dje – një refuzim i pastër i demokratizimit të diturisë. Sikur vetëm të thirrurit paskan të drejtë të kuptojnë, të mendojnë e të shprehen. Një tjetër tweet ishte kundër mundësisë për të shkuar në zgjedhje e për ta zgjidhur nyjën, për ta bërë një reset të pozicioneve. Pjesa tjetër e opinionit? Qëndrime të pambështetura, thjesht politikisht të njëanshme dhe opozitare.

Zgjidhja duhet të jetë e përhershme

Interpretimi dhe juridiksioni aktual realisht lënë vetëm një mundësi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme – përmes skadimit të mandatit të Presidentes. Në këtë rast, pas 60 ditësh shpërbëhet Kuvendi dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve nga shpallja. Ky mekanizëm është i qartë dhe i kodifikuar në Kushtetutë. Por do të vinte shumë vonë. Vendi nuk do të mund të përballonte një boshllëk të tillë, sidomos kur dihet se nuk ka buxhet për vitin 2026, pagat për punonjësit publikë do të mbeteshin pezull, investime të shumta do të ndërpriteshin, dhe të gjitha organet e dala nga Kuvendi do të futeshin në një situatë të paprecedentë. Kjo gjendje vetë do të ishte një arsye e fortë që ta shtyjë Presidenten drejt një dorëheqjeje të shpejtë – si garante e institucioneve dhe e funksionimit të tyre. Edhe dorëheqja, sidoqoftë, do të sillte një tjetër boshllëk, ndonëse të përkohshëm.

Gjykata Kushtetuese e ka të qartë se një situatë e tillë nuk mund të lejohet. Ajo vetë, në jurisprudencën e saj, ka theksuar se interpretimi kushtetues duhet të garantojë zbatimin praktik të dispozitave dhe funksionalitetin e institucioneve. Ajo ka shkruar se nuk thirret për të zgjidhur mosmarrëveshje politike mes grupeve parlamentare, por për të garantuar që proceset themelore kushtetuese zhvillohen në përputhje me parimet e transparencës, llogaridhënies dhe funksionalitetit. Dhe nëse funksionaliteti është qëllim, atëherë interpretimi që e bën tekstin të zbatueshëm është i domosdoshëm. Çdo përpjekje për të zvogëluar modalitetet procedurale e lë vendin në paralizë – dhe bie ndesh me standardin që vetë Gjykata ia ka vënë vetes. Prandaj, mundësia e përshkruar më lart, edhe nëse i përmbahet germës, nuk është në frymën demokratike kushtetuese.

Nuk është momenti për të kërkuar fajtorë – as individë, as grupe. Deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati të detyruar, as ligjor, as moral. Kësaj here, situata e krijuar thjesht nuk e lejoi konstituimin me rregullat dhe interpretimet aktuale kushtetuese. Pikë. S’ka fajtor. Ishte e pritshme që një Kuvend me vende të rezervuara për parti që nuk kanë interes konstituimin, një ditë do të binte në ngërç. Askush nuk mund të detyrojë një deputet nga një rrymë politike të votojë për një tjetër. As tjetri s’mund të obligohet të bindet ndaj kërkesave shpesh të paarsyeshme të palës tjetër. Po, mund të zgjidhet me konsensus, me mirëbesim – por “it takes two to tango. Edhe me gjithë vullnetin e partisë fituese, të tjerat mund të bashkërendohen në mënyra që bllokojnë bashkëpunimin. Dhe nuk mund as duhet të detyrohen. As moralisht, as juridikisht.

Kushtetuta e Kosovës është moderne dhe ofron një panopli të gjerë opsionesh dhe qasjesh. Dhe, po e ripërsërisim: mënyra e vetme e lejueshme për ta lexuar është ajo që mundëson realizimin e frymës së saj demokratike. Prandaj Gjykata Kushtetuese nuk do të lejojë një hendek. Nuk do të lejojë mosfunksionalitet institucional. As shembje të rendit kushtetues.

Ex officio, Gjykata mund të identifikojë dispozita parandaluese që mund të përdoren për të konstatuar se status quo-ja nuk mund të zgjidhet nga asnjë faktor tjetër përveç përfundimit të mandatit të Presidentes. Në mënyrë proaktive, mund të konstatojë se zgjedhjet që duhej të mbaheshin pas përfundimit të mandatit të Presidentes mund të avancohen, pikërisht për të parandaluar një boshllëk edhe më të madh. Si rrjedhojë, shpallja e zgjedhjeve do të mund të ndodhte që tani, nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese – në vend që të pritet fundi i mandatit të Presidentes. Kjo është e vetmja zgjidhje reale që del nga interpretimi aktual. Sepse, sipas juridiksionit ekzistues, deputetët nuk janë më deputetë, dhe seanca konstituive ka mbetur e papërfunduar – nuk mund të vazhdohet.

Vetëm një interpretim tërësisht i ri – që nuk ka qenë i njohur më parë – mund të bëjë një reset të afateve dhe të rikthejë deputetët në Kuvend për ta provuar zgjidhjen përmes këtij modaliteti të ri. Modalitetet ekzistuese nuk lejojnë kthim në votim. Aktgjykimi ishte i qartë. Gjykata nuk do të kishte shkelur ndarjen e pushteteve nëse, brenda interpretimit të nenit 66 në lidhje me 67, do të artikulonte parime minimale që e bëjnë të zbatueshëm obligimin për konstituim. Doktrina ndërkombëtare – përfshirë raportet e Komisionit të Venecias mbi shumicat e kualifikuara dhe mekanizmat anti-deadlock – thekson se kur një normë procedurale rrezikon të prodhojë bllokadë, gjykatat kushtetuese mund dhe duhet të japin lexime që garantojnë efektin praktik (effet utile). Pse jo tani – kur vetë organi themelor legjislativ është i pezulluar?

Metoda krahasimore nuk është luks akademik; është instrument interpretimi. Kur mungon rregullimi i detajuar vendor, shikimi jashtë ndihmon të identifikohen spektrat e mundshëm të zgjidhjeve kushtetuese. Në Kosovë, Kushtetuta parashikon votim të fshehtë për zgjedhjen e Presidentit, por hesht për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Heshtja është hapësirë: ose e mbush politika me marrëveshje, ose e mbush jurisprudenca me interpretim. Jurisdiksionet evropiane e kanë mbushur me rregulla. Bundestagu gjerman e zgjedh kryesinë me votim të fshehtë; nëse dështon shumica absolute, vazhdohet me raunde dhe në fund fiton ai që merr më shumë vota, barazimet zgjidhen me short. Riksdagu suedez kalon nga shumica absolute në shumicë relative; Dhoma e Komunave britanike përdor votim ekzhaustiv me eliminim progresiv; Kuvendi i Shqipërisë parashikon votim të fshehtë dhe reduktim kandidaturash në raundet pasuese. Qëllimi kudo është një: askush të mos e mbajë peng Kuvendin.

Në këtë frymë, një model minimal për Kosovën do të ishte shumë i thjeshtë:

  1. Raundi i parë me shumicë absolute (61 vota), me një kandidat të propozuar nga subjekti më i madh;

  2. Raundi i dytë hap garën për kandidatura të reja me mbështetje të mjaftueshme nënshkrimesh, sërish kërkon 61 vota me votim të fshehtë;

  3. Raundi i tretë, gjithmonë me votim të fshehtë, redukton garën në dy më të votuarit dhe fituesi zgjidhet me shumicë relative të votave të vlefshme. Në rast barazie – aplikohet shorti, ose përparësia e kandidatit më të vjetër në moshë (siç bëhet në disa parlamente ku udhëheq anëtari më i vjetër).

Ky konfigurim e respekton tekstin e Kushtetutës – shumicën absolute si standard fillestar – por nuk e lejon bllokadën të zgjasë pafundësisht.

Është një rast historik që procedura e zgjedhjes së Kryesisë së Kuvendit të modernizohet dhe të përafrohet me metodat e demokracive funksionale.

Ky është leximi funksional që Gjykata do të duhej ta jap.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: