Shkruan: Gazmend Demolli
Basti i humbur e shtyu Kushtetuesen të ndërhyjë sërish, të kërkojë një time-out dhe të zgjasë masën e përkohshme. Tha, kjo nuk e prejudikon vendimin që do të mirret mëvonë. A po, a? LDK me dy SMS konstatoi se nuk ishte në rregull, Kushtetueses po i duhet një muaj.
Shtyerje e re, datë e re. Nëse ky proces përfundon me zgjedhje të reja, ato tani do të mbaheshin përtej dy raundeve të zgjedhjeve lokale. Mirë, vërtetë mirë, sepse realisht KQZ do të përballej me sfida të mëdha për të organizuar njëkohësisht votimin, mbikëqyrjen dhe numërimin në rast të zgjedhjeve të përbashkëta. Përshembull, në zgjedhje nacionale votimi jashtë vendit nuk do të jetë i kushtëzuar me dëshminë e vendbanimit. Apo jo? Apo jo!
Për më tepër, zgjedhjet lokale që po afrojnë do ta ndryshojnë tërësisht kontekstin politik, duke prodhuar humbës dhe fitues të rinj. Rezultati është i paparashikueshëm.
Nuk njihem si parashikues i saktë, as për të thënë a është i parashikueshëm a jo, megjithëse njoh qëndrimet, politikat, elektoratet, nevojat; por njerëzit votojnë me familje për të punësuar e ngritur një të afërm të tyre. Kosova është e vogël dhe në këto zgjedhje do të ketë rreth 5000 kandidatë, që do të thotë mesatarisht më pak se 200 vota për kandidat. Kush mobilizon familjarë, miq e ndjekës, ka shanse të mëdha të zgjidhet. Jo e gjithë vota është kështu, por një pjesë e madhe e saj, që e shpjegon edhe dallimin mes rezultateve me ato nacionale. Kanë hyrë parti të reja, si PSD, dhe të tjera, ose psh Guxo dhe Alternativa janë shkëputur për të kapur sa më shumë votën familjaro-miqësore. Si mund të parashikosh rezultate kur secili në rreth ka dy a tre kandidatë që konkurrojnë?
Ky kontekst i ri do të jetë vendimtar dhe do të diktojë qëndrimet e partive rreth votimit të qeverisë ose shkuarjes në zgjedhje. Në një klimë ku zgjedhja e nënkryetarit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë, çdo lëvizje pas zgjedhjeve lokale do të jetë llogari e rrezikshme. Masa e përkohshme e Kushtetueses, që ndaloi çdo veprim të deputetëve të zgjedhur dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë deri më 30 shtator, tregon seriozitetin e situatës. Qëllimi ishte të evitohen rreziqe ose dëme të pariparueshme dhe u konsiderua në interes publik, veçanërisht për ruajtjen e rendit kushtetues.
Nejse. Mbyllim parantezën. PËRMBYLLE! do të thoshte Hoti.
Për fat të keq, Kushtetuesja, sipas meje, ka kontribuar në këtë ngërç duke krijuar nga hiçi një standard të ri: ndryshimin e kandidatit pas tri tentativash. Mund të ketë qenë logjik në kontekstin e atëhershëm, kur ishte zgjedhja e Kryetarit, por kundërindikacionet janë të dukshme sot. Në aktgjykimin paraprak gjykata urdhëroi që, në mungesë të konsensusit për votim të mbyllur, procedura të vazhdojë me votim të hapur dhe se për të njëjtin kandidat për kryetar Kuvendi nuk mund të votohet më shumë se tri herë. Vetë gjykata e ka përsëritur në jurisprudencë se interpretimi kushtetues duhet të garantojë zbatimin praktik të dispozitave dhe funksionalitetin e organeve.
A u doli basti? Jo. Cilat janë opsionet reale tash?
Së pari, STATUS QUO-JA: Kuvendi të konsiderohet i konstituuar dhe zgjedhja e nënkryetarit të mbetur të shtyhet për seanca tjera. Praktikisht mund të duket e thjeshtë, por krijon precedent të rrezikshëm që de facto ia heq këtë pozitë pakicës serbe në vijimësi, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës. Neni 67 përcakton qartë se dy nënkryetarë zgjidhen nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.
Së dyti, opsioni i dytë është PËRSËRITJA E PROCESIT të votimit për kandidatin serb, por me ndryshim kuptimplotë që të mos prodhohet i njëjti rezultat. Tri nën-opsione këtu:
(i) KONFIRMOHET ndryshimi i kandidatëve nga Lista Serbe pas tri dështimesh dhe, kur të shterojnë, të propozojë një subjekt tjetër i komunitetit. Në praktikë, kjo priret ta çojë shumicën te Nenad Rashiq, i cili ka punuar me të gjitha partitë më parë dhe nëse mbetet i fundit, dihet; pikërisht sepse rezultati anon kah një emër, opsioni bëhet problematik — a duhet gjykata të fusë gishtat në dinamikat politike të brendshme? Problem kjo, hë?
(ii) VOTIMI I FSHEHTË. Pretendimet se është jokushtetues nuk qëndrojnë: gjykata vetëm konstatoi mungesë miratimi nga Kuvendi. Ishte përsëritja e kërkesës përtej racios dhe pa rezultat, që ishte në mospajtim me Aktgjykimin. Kot flasin palidhje deputetë të paskrupullt. As Kushtetuta dhe as Kreu IV i Rregullores nuk e specifikojnë mënyrën (fshehtë apo hapur, individualisht apo në pako), duke e lënë në diskrecion procedural. Për një nënkryetar serb, votimi i hapur mund të jetë prejudikues në raste të polarizimeve parazgjedhore; votimi i fshehtë mbron lirinë e ndërgjegjes së deputetit dhe rrit shanset për zgjidhje funksionale.
(iii) zgjidhja më e mirë: VOTIM I FSHEHTË ME TRE RAUNDE — i pari me të gjithë kandidatët serbë që duan të hyjnë në garë; i dyti mes dy të parëve; nëse asnjëri nuk merr 61 vota në të dytin, i treti me shumicë të thjeshtë. Kush abstenon, nuk bllokon. Kjo rikthen votimin e fshehtë si opsion kushtetues dhe sjell model modern me shumë kandidatë, si në praktikën evropiane, me qëllim të qartë: askush të mos e mbajë peng Kuvendin.
Së treti, e harruam se e patëm edhe pikën e tretë, (Përmbylle!) ANULIMI i zgjedhjes së nënkryetarëve të komuniteteve të tjera. Ky është i papranueshëm. Nënkryetarja Rexhepi është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe, edhe nëse do të votohej për të dy, nyja nuk zgjidhet. Amalgamimi e shpjegon fare thjeshtë: zhiva, kur prek arin, e prish arin; nuk ndreqet zhiva, dëmtohet ari. Lidhja artificiale e pozitës së komunitetit serb me një komunitet tjetër do të na kthente padrejtësisht në pikën zero dhe do të cenonte parimet e përfaqësimit e të drejtave të komuniteteve të tjera, thelb i Kushtetutës.
Ngërçi në Kuvend ka zbuluar dobësi sistemike dhe ka nxitur kritika ndaj qasjes së Kushtetueses, e cila shpesh ka prodhuar zgjidhje afatshkurtra, jo domosdoshmërisht të drejta, të logjikshme apo politikisht të qëndrueshme. Siç kam theksuar më parë, kërkohet qasje largpamëse që të mos krijojë pengesa të reja. Është e domosdoshme që Kushtetuesja të rishqyrtojë votimin e fshehtë dhe të udhëzojë, hap pas hapi, një votim të fshehtë me kandidatë të shumtë. Kjo do të shërbente si precedent i mirë për raste të ardhshme, do ta konfirmonte votimin e fshehtë si opsion plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe do të sillte një model modern të garës reale. Ata do të thonë nuk është punë e tyre. PSE PËRZIHENI ATËHERË KUR NUK ËSHTË PUNË E JUAJ?
Në fund të fundit, duhet të votohet. Apo jo, LDK? Deputetët, si përfaqësues të popullit, duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e punëve publike. Është koha që Kushtetuesja të japë një zgjidhje të përhershme, jo thjesht një stratagjemë të re.