E shtunë, 20 Qershor, 2026

Për Palestinezët më mirë gjithë jetën në tenda se të largohen nga Gaza

PolitikëPër Palestinezët më mirë gjithë jetën në tenda se të largohen nga Gaza

Palestinezët e rikthyer në Gazë pas armëpushimit ballafaqohen me rrënojat e shtëpive të tyre dhe horror-propozimin e Presidentit Trump për me kthy Gazën në “Rivierë të Lindjes së Mesme” duke kry spastrim etnik.

Kur dëgjova për herë të parë se Presidenti Donald Trump po bënte komente për të ardhmen e Gazës, isha në Nju Jork, duke e festu sezonin e ri të serialit “Mo” që shfaqet në Netflix e të bërë nga miku im Mo Amer. Më pas një mik tjetër ma çoi një mesazh: “Konferencë e tmerrshme e Trumpit ku po thotë se Amerika do ta marrë Gazën. Flasim nesër.”  U trondita. E, prej kujt po e merrte Amerika kontrollin e Gazës bre? Forcat izraelite që e bënë rrafsh me tokë lagje të tëra ishin tërheqë më pas. Shoku im Ahmadi, nga Beit Hanouni në veri të Gazës, më tha që njerëzit po riktheheshin nëpër mëhalla për me vazhdu jetën ku e kishin lënë ama “duke qëndru në rrënojat e shtëpive të tyre.” Ama edhe rrënojat në Gazë kanë kuptim për ne. Më të dashurit tanë aty jetuan e vdiqën. Kur vjen vakti, ne jemi ata që duhet m’i heqë ato që duhen heqë për me ndërtu sërish.

Gazanët “kanë me pasë paqe,” tha Trumpi. “S’kanë me u gjuajtë me armë e me u vra e me u shkatërru, që ky civilizim njerëzish të mrekullueshëm është dashtë me duru. E vetmja arsye pse palestinezët duan me u kthy në Gazë është se s’kanë ku të shkojnë tjetër. Tash është vend i shkatërruar.” Ai nuk tha se kush e bëri atë gjuajtje e atë vrasje e atë shkatërrim: ishte ushtria izraelite, me mbështetjen e qeverisë amerikane.

Por, Trumpi tha që Rripin e Gazës do ta shndërronte në “Rivierë të Lindjes së Mesme” sikur aty s’jetonte njeri i gjallë. Më pas, kur u pyet se sa njerëz duhej me u largu prej atdheut të tyre, Trumpi tha, “Që të gjithë… Ndoshta po flasim për 1.7 milionë njerëz, ndoshta 1.8 milionë… Ma merr mendja se do të strehohen nëpër zona ku kanë me pasë jetë të bukur dhe pa brenga se kanë me vdekë për çdo ditë.” Ai gjithashtu tha se e kishte një ndjenjë se Mbreti i Jordanisë dhe Presidenti i Egjiptit “kanë me i hapë zemrat”  për palestinezët ndërsa ajo zonë rindërtohej – sikur tjetërkush e jo banorët e Gazës do ta bënin atë punë të zorshme.

S’do të lodhem me i ndreqë shifrat e Trumpit. Por, e kam një pyetje. Kush tha se banorët e Gazës brengosen se mos vdesin? Ka plot njerëz në mbarë botën që brengosen se mos vdesin, përfshirë disa amerikanë që s’kanë sigurim shëndetësor apo jetojnë në zona në rrezik zjarresh. Por, brenga jonë s’është se do të vdesim. Palestinezët brengosen se mos vriten nga ushtarë izraelitë, nga kolonët, bombat e plumbat. Qysh mund ta ndalni vrasjen e njerëzve? Jo duke i heqë njerëzit që janë bombardu e vra – por duke i ndalë njerëzit që po i gjuajnë e po i bombardojnë.

Prej fillimit të armëpushimit të brishtë në Gazë, në fund të janarit, më shumë se njëqind palestinezë janë vra dhe shumë tjerë janë plagosë. Kam dëgju prej të afërmve të mi që po kthehen në vendin ku kanë jetu para 7 tetorit. Familja e gruas time u kthye në mëhallën e tyre ku kuptuan se shtëpia trikatëshe ishte ende në këmbë. Aq shumë është bombardu Gaza sa plot familje tjera s’e kanë atë fat. Përbrenda, megjithatë, shtëpia ishte krejt e djegur. S’ka gati as gjurmë të dollapëve, dyshekëve a batanijeve. Mundesha me i dëgju, në një video që ma dërguan, plasaritjet e tullave të mureve derisa ecnin. Muret e tavani ishin bërë shkrumb.

Miku im Saberi, babë i dy fëmijëve, s’e mori me nguti kthimin. Pas 7 tetorit, iku prej veriut të Gazës në një tendë në Khan Younis. Në nëntor 2023, iu bombardua banesa ku kishte jetu. Më 27 janar të këtij viti, ditën që u lejuan njerëzit me u kthy në veri, ai e dinte se s’kishte pse të kthehej. S’u kthye deri ditën tjetër.

“Eca për pesë orë,” ma tha. Qëndroi dy ditë. “E pastaj edhe psë orë për me u kthy te tenda,”

Më 28 janar, doktori Hosam Hamouda, një mjek i ri që punonte vullnetarisht në spitalin e Khan Younisit, u kthye  në Beit Lahia, qytetin ku kishte jetu para 7 tetorit. I thashë këqyre librarinë me libra anglisht që e kisha hapë në vitin 2017. Libraria e kishte një dhomë leximi të mbushur plot me rafte librash. E kishte edhe një sallë ku i mbanim eventet, shpesh për fëmijë. Një tjetër dhomë funksiononte si klasë mësimi, ku fëmijët mësonin anglisht ose vizatonin. Kishte edhe një ekran të madh ku shfaqnim filma vizatimorë, filma tjerë e video edukative. Ishte edhe një magazinë ku kishte materiale vizatimi, dhurata, biskota e lëngje, për fëmijë. Një mur ishte dekoru me vizatimet e tyre. Në fotografitë që m’i dërgoi, një numër i vogël librash kishte shpëtu me një raft, i mbuluar prej mbetjesh rrënojash. Pjesa tjetër ishte nën rrënoja.

Më dhemb kur e mendoj sa kohë e gjatë është dashtë për secilin libër që të mbërrinte në ato rafte, udhën dymujore prej Amerike në Evropë e më pas në Gazë. Momentin kur e kisha kapë secilën pako kur vinte me postë, përshëndetja taksistin, dhe i çoja në librari për me i vendos nëpër rafte. Por tash edhe posta është shkatërru, rrugët janë shkatërru dhe zor se dikush ka apo lexon libra.

Para se me mendu për rindërtimin e librarisë, Hamouda ma çoi një mesazh e më pyeti nëse mundesha me e ndihmu për me marrë fonde që me çelë një tendë mjekësore në mëhallë, ku s’ka spitale, klinika a farmaci që punojnë. Nëse ndokush në Beit Lahia sëmuret, Hamouda tha, “Duhet me shku deri në Gaza City për te mjeku.” Veç taksi kushton – 50 shekela, ose 13.5 euro për një drejtim – para që s’munden me i përballu shumica e pacientëve.

Vëllai im Hamza më dërgoi fotografi të varrezës në Beit Lahia. Ma tregoi një shteg kah i kishin ra tanket izraelite. Kalonte prej një ane të varrezës në tjetrën, duke i shkulë varret përgjatë rruge. Në një varr, ishte një shkallë metali nga një shtëpi e bombarduar. Varrezën e kish mbulu bari dhe ish rrethu nga shtëpitë e shkatërruara. Mendova për axhën dhe vëllain që ishin varrosë aty. A janë dëmtu varret e tyre? Kur po i nxjerrim të vdekurit prej rrënojave, ku duhet t’i fusim trupat e tyre?

Në verën e 2014-s, sulmet izraelite shkatërruan më shumë se dymbëdhjetë mijë shtëpi dhe i dëmtuan rëndë gjashtëdhjetë mijë tjera. Gati njëqind e pesëdhjetëmijë ishin bërë të pabanueshme. Por, në fund të asaj dhune nisi rindërtimi. Një prej komshive shkonte me një karrocë të ngjitur për gomari dhe mblidhte beton nga shtëpitë e shkatërruara. Një karrocë me beton e shiste për dhjetë shelekë – më pak se tri euro – kur u shtyp nga gurëthyesit që bënin zall për ndërtimin e strukturave të reja. Burrat tjerë nxirrnin armaturë nga muret e kulmet e dëmtuara.

Në veri të Gazës, s’ka ujë të pijshëm, s’ka rrymë, s’ka spitale, e as tesha, mbuloja a dyshekë. E megjithatë, njerëzit janë të vendosur. Javën e kaluar, gazetari AbdalQader Sabbah e postoi një video në Instagram. E tregoi një grup tendash në mes të asaj që dukej si vend demolimi. Disa prej tendave ishin çky prej erërave të forta. Por ditën tjetër, duke raportu nga kampi i refugjatëve në Jabalia, ai e postoi një video të burrave duke punu. Në afërsi, ishin dy shkolla, njëra prej të cilave e djegur e tjetra e dëmtuar rëndë. Burrat po punonin për me i ndërtu muret e një shtëpie pesëkatëshe.

I njohë gazanët që duan të largohen. Shoku im, Waleedi, prej kampit të Jabalias, ka ëndërru me ikë diku jashtë “prej muajit të parë të luftës,” E megjithatë kufiri mbetet i mbyllur në të dyja drejtimet. Sipas drejtorit të spitaleve fushore të Gazës, për një kohë prej tri javësh, 35 mijë pacientë duhej me u largu prej Gazës për trajtim. Veç njëqind e njëzet prej tyre ia dolën. Ndërkohë, shumë prej njerëzve që u larguan pas sulmit të 7 tetorit janë nguju në Egjipt, duke pritë me u kthy për me u ribashku me familjet e tyre. Nëna me motrën, që ikën në Doha në mënyrë që motra me marrë trajtim mjekësor, s’mundën me u bashku me babën dhe familjarët tjerë.

Për dikë si unë, pyetja se kur me u kthy në Gazë është e vështirë. Unë e gruaja i kemi tre fëmijë, dhe shpesh mendojmë për me u rikthy në atdhe, por s’mundemi derisa ne palestinezët ta marrim kontrollin e plotë të vendkalimit të Rafah-së – të vendosim se kur ta hapim e kur ta mbyllim. Vendkalimi s’është hapë për të kthyerit prej fundit të 2023-s, dhe s’është hapë për ata që u larguan prej majit 2024, kur Izraeli e okupoi dhe shkatërroi Gazën. S’dua të kthehem në Gazë për mos me pasë mundësi me dalë.

Prej që Trumpi doli në atë konferencë, shumë njerëz që i njoh në Gazë janë frikësu për të kundërtën – se nëse largohen s’kanë me pasë mundësi me u kthy.  Miku im Saberi i quajti të frikshme komentet e Trumpit. “Shumica e popullit po refuzojnë me lëvizë një hap larg, dhe janë të gatshëm me jetu gjithë jetën në tenda, ­ më shkroi. “Sidomos kur e morën vesh se me u largu domethënë mos me u kthy më.”  Vjehrra ime e ka një frikë tjetër. Çka nëse familja jonë e rindërton shtëpinë, veç për me u detyrë me u largu pastaj? Ajo brengoset se krejt puna mund të shkojë huq.

Nganjëherë tronditem kur ne palestinezët flasim për shpresat që kemi. Përmendim gjërat më bazike. Duam punë, me ndërtu shtëpi, me shku në plazh, ndoshta me udhëtu jashtë duke e ditë që mundemi me u kthy. Edhe për gjërat që kolektivisht i ëndërrojmë – me pasë aeroportin e portin tonë detar, me taku turistë e me iu tregu vendin tonë, me vizitu Jerusalemin e me u falë në xhaminë e Al-Aqsas, me u rikthy në fshatrat e qytetet ku kanë jetu babë e babëgjysh – duken të zakonta për shumicën e njerëzve në botë. Ne i meritojmë këto e bile edhe pak më shumë.

Palestinezëve s’iu duhet presidenti Trump që flet për Gazën si të ishte një dhomë hoteli boshe që i vyen dizajn i ri. Ajo çka na duhet është që pjesa tjetër e botës me dëgju për nevojat më bazike e më të menjëhershme të Gazës. Duam të ngrisim tenda dhe me i mbushë ato me mësues në mënyrë që fëmijët tanë që i humbën 16 muaj mësim me u kthy në shkollë. Na duhet me depërtu nëpër rrënoja për me i gjetë mbetjet e vëllezërve e motrave e prindërve e fëmijëve për me i varrosë. Na duhen pasjisje të rënda me pastru gërmadhën pesëdhjetë milionë tonëshe e me zëvendësu me vende për me jetu e punu. Na duhet me i mbjellë apet arat e shkretuara në mënyrë që bujqit tanë me rritë prapë ushqim. Na duhet me i zëvendësu vendet e vdekjes me spitale ku njerëzit me u shëru. Na duhet një fund i gjendjes së rrethimit. Dhe njerëzit që e bëjnë të ardhmen e këtij vendi duhet të jemi ne, palestinezët – jo njerëzit që e bënë Gazën të dukej si gërmadhë, e që tash duket se mendojnë që krejt populli duhet me u shkatërru po ashtu. Krejt këto gjëra kanë rëndësi. Por, asgjë s’ka rëndësi më të madhe se me qëndru aty.

Ese e shkruar nga Mosab Abu Toha për New Yorker. Përkthyer nga Tjetër*.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: