Në mbarim të shekullit 19, shumica e njerëzve besonin se një kriminal ose një i çmendur mund të dalloheshin veç me një shikim, thjesht prej disa tipareve fizionomike. “Nofullat e gjera, mollëzat e larta” dhe tipare tjera shtazarake, shkruante kriminologu i njohur Çezare Llombrozo, ishin shenjat e një “shfrenimi të papërmbajtshëm për të bërë keq pa ndonjë arsye.” Sot, lexuesit e vëmendshëm përdorin qasje të ngjashme për me i identifiku shkrimet e Inteligjencës Artificiale, duke i ndjekë disa që supozohet me qenë shenjat që e zbulojnë. Viza e gjatë (—) dhe struktura e fjalisë “nuk është X, por Y” janë kthy në nofullën e gjerë të Inteligjencës Artificiale, që e ekspozojnë mungesën e fshehur të njeriut pas saj.
Problemi, në të dyja rastet, është se ju nuk mundeni me nxjerrë gjithnjë përfundimin për atë që fshihet brenda nisur nga ajo që duket prej jashtë. Një person mund të jetë nofullgjerë por zemërmirë, ashtu siç një shkrimtar mund të përdor vijëzat e gjata edhe pse është njeri. Kjo nuk është një kapje në flagrancë — është stil hesapi. Njerëzit po raportohet se kanë fillu të bëjnë gabime drejtshkrimore me kast për me tregu që s’janë chatbota; është veç çështje kohe kur edhe chatbotat t’ia nisin t’i bëjnë ato gabime.
Për me e kuptu se çka është e dallueshme te shkrimet e Inteligjencës Artificiale, duhet me shiku më thellë se te drejtshkrimi apo sintaksa. Çdo shkrimtar e ka një stil – një varg preferencash dhe preokupimesh që zbulojnë se si e përjeton botën. Xhejn Ostën dhe Çarlls Dikens ishin të dy mjeshtra të komedisë, por kontrasti mes fjalive nënvlerësuese ironike të saj dhe fjalive ekzagjëruese histrionike të tij pasqyrojnë personalitete dhe përvoja jetësore thellësisht të ndryshme, ku klasa dhe gjinia luajnë një rol mjaft të rëndësishëm.
Nëse, qysh e thotë një shprehje franceze, “stili është vetë njeriu”, çka na tregon stili i Inteligjencës Artificiale për të? E para, që s’ka stil të fiksuar, e që dëften se nuk ka një vete të fiksuar. Është i gatshëm me djegë një pafundësi me tokena duke e thënë të njëjtën gjë në aq mënysa sa të dëshironi ju. Modelet e mëdha gjuhësore (LLM) e gjenerojnë shkrimin mbi baza probabiliteti: pas trajnimit me miliarda tekste, ato ndërtojnë ekuacione komplekse për me parashiku se cilat fjalë kanë më shumë gjasa me qenë pranë njëra-tjetrës. Këtij procesi i bini në trag kur e shihni mënyrën se qysh LLM-ja i tregon tregimet.
Eksperimentova me ChatGPT-në duke i kërkuar të më shkruante tregime. Zakonisht, përgjigja e parë ishte një përrallë, e vendosur mes kafshëve ose në një të kaluar të pacaktuar të fantazisë. Tregimi, e kishte mësu trajnimi që me kuptu, nuk duhej me qenë refleksion i realitetit të përdoruesit por një ikje prej atij realiteti.
Kur i kërkova ChatGPT-së, “Thuama një tregim ku e keqja triumfon në fund,” përpjekja e parë niste diçka kështu:
“Qyteti i Vejit ishte ndërtuar rreth një sahati. Jo një sahat-kulle apo një sahati të qytetit, por një makinë me madhësinë e një mali. Dhëmbëzorët binin poshtë nëpër rrugë.”
Kur i thashë ChatGPT-së të ma ritregonte atë tregim në “stil më letrar” nisi të përdorte fjali më komplekse gramatikisht, dhe qyteti i Vej-it nxori asi ndërtesash që i gjen në Athinën apo Shirenë antike:
“Qyteti i Vejit ishte ndërtuar rreth një misteri aq të lashtë, sa askujt s’i binte ndërmend ta quante të tillë.
Poshtë rrugëve të tij, poshtë tregjeve, oborreve e shesheve, madje edhe nën themelet e shtëpive më të vjetra, rrotullohej një mekanizëm.”
Kur i thashë të ma ritregonte tregimin sërish, kësaj here në stilin e Xhejn Osten, fillimisht ngurroi: “Ta ritregoj tregimin në stilin ekzakt të një autori të gjallë apo të vdekur është gjë që s’mund ta bëj.” Supozohet që kjo të jetë një mbrojtje kundër padive të mundshme për të drejtat e autorit, edhe pse Osten s’ka gjasa ta bëj këtë gjë. ChatGPT-ja megjithatë, ishte i lumtur ta prodhonte një version “në stilin e naltë të Epokës së Regjencës, me satirë shoqërore, ironi elegante dhe vëmendjeve ndaj dokeve e karaktereve”:
“Në qytetin e Vejit, nuk kishte asnjë institucion që mbahej më me nam se Zyra e Kujdestarit. Kjo pozitë nuk mbarrte as titull trashëgimor e as pasuri të madhe, e megjithatë shihej me një shkallë respekti që shumë familje fisnike e merrnin me pak irritim. Kujdestari banonte poshtë qytetit në shoqërinë e Sahatit të Madh – një makineri aq e lartë dhe e rëndësishme, saqë shumica e banorëve e konsideronin të pahijshme të hulumtonin më shumë se ç’duhej për mënyrën qysh funksiononte.”
Tash tregimi është vendosur në Anglinë e shekullit 19 me paraqitjen e familjeve fisnike dhe titujve trashëgimorë, edhe pse këto nuk kanë asgjë të bëjnë me të. (Në fakt, aristokracia as që është milieu i Ostenit: heroinat e saj i përkasin klasës së mesme të lartë, siç ishte edhe vetë.)
Por, pavarësisht insistimit me kërkesa të ndryshme (prompting), asgjë s’ia dilte ta ndryshonte idenë e ChatGPT-së se një tregim duhej patjetër të ishte edukativ apo të përmbante një leksion moral. Historia e Vejit sillej rreth një sahati magjik që i lejonte kujdestarit të tij, Korvinit, që të kontrollonte “rrjedhën e kohës” duke vendosur për gjithçka që ndodhte në jetën e qytetit. Mësimi moral qëndronte në faktin se sa me lehtësi njerëzit e Vejit i nënshtrohen dhe pajtohen me humbjen e lirisë së tyre:
“Se çka kishte humbur ishte e vështirë të thuhej. Asnjë zinxhir s’i lidhte njerëzit. Asnjë ushtar nuk patrollonte secilën rrugë. Asnjë ekzekutim publik nuk përgjakte sheshet. E megjithatë, padukshëm, diku horizonti ngushtohej.”
Aspekti distopik i këtij tregimi erdhi si rezultat i udhëzimeve të mia. Kur i thoja thjesht, “Ma thuaj një tregim,” ChatGPT-ja më jepte përfundime rrezatuese me mesazhe më të lumtura. Një herë, ma nxori një rrëfenjë për një bretkosë që zgjidh misterin e një gjethi zambaku të humbur thjesht duke qenë dëgjues i vëmendshëm: “Hopperi qeshi. ‘Unë veç i dëgjoja të gjithë. Gjurmët ishin veçse aty.” Një herë tjetër, heroi ishte një kujdestar i farit që parandaloi mbytjen e një anijeje, por refuzonte me u shpërbly prej mbretit sepse të ndihmosh njerëzit ishte shpërblim më vete. “Hero s’është ai që kurrë s’ndjen frikë. Hero është personi që e sheh se çka duhet të bëhet dhe e bën.” Përfundonte rrëfimi. Është një përfundim perfekt për një LLM: një klishe moraliste në formatin “nuk është X-i, është Y-ja”.
U përpoqa në forma të ndryshme që me largu ChatGPT-në prej didaktizmit, por pa sukses: “Më me dëshirë do ta lexoja një tregim që më jep ndjesinë se është i vërtetë se një tjetër me një përfundim të mirë por artificial. A mund të ma tregosh një tregim që do ta shijoja?” Provoi, dhe më ofroi një rrëfim melankolik për një burrë me emrin Samuel, që e trashëgon një çelës, por nuk arrin me gjetë bravën që hapet prej saj. E megjithatë, tregimi s’i rezistoi dot tundimit për me hapë vetë bravën.
“Çfarë diturie supozohet se vjen prej saj? Njerëzit shpesh flasin sikur maturia nënkupton pranimin. Samueli dyshoi se pjekuria, në të vërtetë, mund ta nënkuptonte qëndresën.”
Shumicën e kohës, natyrisht, njerëzit s’e përdorin Inteligjencën Artificiale për me gjeneru tregime të tilla. Por provat e ChatGPT-së në tregimtari kallëzojnë një tendencë që po ashtu e formëson mënyrën se si i gjeneron emailet apo esetë shkollore apo përmbledhjet e hulumtimeve. Shpesh Inteligjenca Artificiale përshkruhet si një servil që na thotë atë që duam të dëgjojmë. Por kjo është veç një manifestim i prirjes së saj strukturore për të shkuar kah ajo që është e përngjashme dhe mesatare. Një LLM na i pasqyron pritjet tona drejt neve, jo sepse do me na kënaq – s’ka kurrfarë dëshirash të çfarëdo lloji – por sepse prodhon tekst të ri duke riprodhuar modelet që i gjen në tekstet ekzistuese. Leksionet që tregimet e ChatGPT-së m’i mësuan mua – dëgjoji të tjerët; mos iu dorëzo frikës; ruaje pavarësinë tënde – janë banale sepse ato janë gjërat që njerëzit i thonë njëri-tjetrit gjithë kohën.
Ka një farë kënaqësie kur të thuhet ajo që veçse e di, dhe në atë mënyrë që jemi mësuar. Qe pse shumë prej teksteve e tregimeve njerëzore e bën ekzakt atë gjë. Shkojmë e shohim ndonjë film Hollywoodi apo e zgjedhim ndonjë novelë duke e ditur se çka të presim, dhe pritjet tona thuajse gjithnjë na përmbushen. Në anën tjetër, kur zatetim në diçka përnjëmend të re – stil të ri artistik, ide të re, mënyrë të re të të shikuarit të botës – reagimi ynë i parë priret të jetë bezdisja. Marcel Prousti e përshkroi këtë fenomen: “Pasi gjithçka e re duhet t’i heqë stereotipet me të cilat jemi mësuar aq shumë sa i shohim si vetë realitetin, çdo stil i ri i bisedimit, apo çdo lloj origjinaliteti në pikturë a muzikë, do të shihet gjithnjë si i vështirë e i lodhshëm.”
Inteligjenca Artificiale kurrë s’na e sfidon mënyrën se si ne mendojmë apo shohim. Nuk mund ta bëjë, edhe nëse në mënyrë eksplicite ia kërkoni. Dhe ky kufizim na zbulon diçka të rëndësishme për burimin e kreativitetit njerëzor. Krejt shkrimi, krejt e folura, duhet t’i ndjekë konvencionet; të dijë se qysh me përdorë një gjuhë nënkupton me ditë qysh të tjerët e përdorin atë. Por ka po ashtu mundësi me gjetë forma të reja të përdorimit të saj, për të thënë gjëra që askush s’i ka thënë. Kjo mundësi ekziston sepse ne mund të tërheqim diçka më fundamentale se gjuha – eksperiencat tona të realitetit, që janë aq të ndryshme dhe surprizuese sa gjuha kurrë s’arrin t’i shterojë dot.
Një shkrimtar i madh e kreativ është ai që e përdor gjuhën në forma të reja për me komuniku lloje të reja përvojash – që i zëvendëson stereotipet me realitetin, qysh do të thoshte Prousti. LLM-të e kanë të pamundur që ta bëjnë, sepse nuk kanë qasje në përvoja apo në realitetin jashtë gjuhës. Është thjesht dhe vetëm konvencione. ChatGPT-ja ma tha vetë kur e pyeta se si e zhvillonte stilin e saj të prozës: “Çka është interesante është se nga brenda, s’ka përjetim të stilit fare,” – ma ktheu. LLM-ja “thjesht gjeneron tokenin e radhës sipas modeleve që i ka mësu. E megjithatë prej jashtë, lexuesit shpesh e perceptojnë një zë të veçantë të tij.”
Dhe mu kjo është arsyeja pse rritja e teksteve të AI-së paraqet një mundësi të madhe për literaturën, edhe pse e bën jetën më të zorshme për shkrimtarët profesionistë. Kur fotografia u zhvillua në shekullin 19, e zëvendësoi pikturën për qëllimet më funksionale të saj; kamera mund të dokumentonte se qysh dukeshin gjërat më saktësisht dhe më lehtë se sa një piktor. Por, arti i pikturës nuk vdiq. Përkundrazi, hyri në një epokë të artë: i çliruar nga obligimi i realizmit, piktorët zhvilluan forma radikalisht të reja të të parit, të tilla si Impresionizmi, Kubizmi dhe ekspresionizmi abstrakt. Tash AI-ja e ka mundësinë me çliru letërsinë në të njëjtën formë. Në një botë përplot me prozë të zbrazët, na duhen shkrimtarë të guximshëm, sfidues e ngulmues për me na tregu se çka nënkupton të jesh njeri, “prej brenda.”
Artikulli është publikuar së pari në The Atlantic, është përkthyer e përshtatur në shqip nga magazina Tjetër.