Ajri i ndotur brenda shtëpive

VIDEOAjri i ndotur brenda shtëpive

Zonja M. Berisha ishte një grua e re nga Prishtina. Ishte në muajin e katërt të shtatzënisë dhe po priste të bëhej nënë për herë të parë. Mjekët i kishin thënë se ishte shumë mirë me shëndet e se pa problem mund të bënte fëmijë. Por papritmas… iu shfaqën disa probleme që ishin aq serioze sa e detyruan me abortu.

Përvoja e rëndë nuk e zmbrapsi nga dëshira për t’u bërë nënë. Ajo mbeti shtatzënë sërish. Mirëpo… iu shfaqën problemet e njëjta dhe ajo u detyrua të abortonte sërish. Mjekët në Kosovë s’kishin kurrfarë shpjegimi.

Dy abortime. Veç mendojeni sa e dhimbshme ishte kjo përvojë për të. Por, ky s’ishte fundi. E njëjta histori u përsërit sërish dhe ajo abortoi edhe për herë të tretë e të katërt. Mjekët kosovarë përsëri s’dinin gjë.

“Abortova katër herë, humba katër fëmijë, (por) vazhdova të luftoja sepse kisha shumë dëshirë të bëhesha nënë… Mjekët në Kosovë më thoshin (se) isha mirë, e mund të bëja fëmijë por nuk më jepnin arsye pse ndodhnin abortet e mia, (prandaj), vendosa të shkoja në Itali dhe vazhdova konsultimet me një gjinekolog atje, i cili më tha se (problemi) kishte qenë te ajri i ndotur në vendin tonë,” – na kishte thënë Berisha.

Kemi dëgju shpesh se ajri i ndotur është problem i madh, shumë i madh i Kosovës. Në muajin mars, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me anë të një raporti vlerësoi se 1150 njerëz në vit vdisnin nga ajri i ndotur në Kosovë. Pra, një fshat mesatar na zhduket për çdo vit nga ajri i ndotur.

Raporti i Institutit rekomandon që qytetarët me qëndru në shtëpi… mirëpo, çka nëse ajri në shtëpi është edhe më i ndotur se ai jashtë?

Ajri i ndotur brenda shtëpive është një problem i madh për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka ngritë moti alarmin.

Sipas një matjeje të bërë në vitin 2019, ajri i ndotur brenda shtëpive i shkakton rreth 3.2 milionë vdekje në vit. Për fëmijët që i kanë më pak se 5 vjet, dhomat e sallonet ku digjen drutë apo qymyri janë absolutisht të tmerrshme.

Sipas OBSh-së, ajri i ndotur brenda është përgjegjës për gati gjysmën e vdekjeve të këtyre fëmijëve nga pneumonia. Të dhënat më të fundit po tregojnë që ajri i ndotur brenda shtëpive po shkakton edhe tuberkuloz, tri lloje të kancerit, astmën, humbje të foshnjes gjatë shtatzënisë, infeksione të veshit, katarakt, etj.

Duke e pa realitetin tonë mund të hamendësojmë që edhe në Kosovë e kemi punën shumë keq. Ajri i ndotur brenda shtëpive bëhet kur përdorim lëndë djegëse si drutë, peleti apo qymyri për ngrohje e gatim. Dhe siç e dimë, oxhaqet nëpër qytete e nëpër fshatra vazhdojnë të qesin tym me të madhe. Por, s’është gajle që e qesin jashtë. Ai që mbetet brenda lëshon gazra toksike shumë të rrezikshme.

Për fat të mirë, vitet e fundit e patëm një rritje të përdorimit të kondicionerëve të ajrit për ngrohje – pra, atyre pajisjeve që i quajmë klima. Kjo nënkuptoi se të paktën një pjesë e vogël e qytetarëve hoqën dorë nga lëndët djegëse të rrezikshme.

Sipas ASK-së, qytetarët i harxhuan 100 kilotonë ekuivalent nafte më pak të biomasës në vitin 2023 se sa në vitin 2022. (biomasa është druri, peleti e këto) Dhe, 203 kilotonë më pak në vitin 2024 se në vitin 2022. 203 hej! Ky është një lajm shumë shumë i mirë, sidomos për shëndetin e grave që zakonisht rrinë më shumë në shtëpi dhe merren më shumë me gatime e me çgatime afër shporetëve e stufave.

Kjo erdhi si rezultat i shtrenjtimit alarmant të çmimit të druve. Por, ndoshta edhe i subvencioneve të Qeverisë së Kosovës për pajisje efiçiente të energjisë. U subvencionua blerja e klimave. Mirëpo, fatkeqësisht Qeveria më pas subvencionoi edhe blerjen e kaldajave e stufave që punojnë me lëndët djegëse të rrezikshme që i përmendëm.

A pati ulje të përdorimit të druve, peletit e qymyrit për ngrohje?

Kur i këqyrëm hollë e hollë statistikat e ASK-së kuptuam diçka shqetësuese. Megjithëse pati rënie drastike të përdorimit të energjisë me dru nga qytetarët… nuk pati ngritje tjetërkah. Çka i bjen kjo? Që qytetarët thjesht harxhuan më pak energji. Megjithëse u rrit numri i familjeve në Kosovë për 70 mijë sipas ASK-së prej censusit të fundit… qytetarët i konsumuan 207 kilotonë ekuivalent nafte (ktoe) më pak në vitin 2024 se në vitin 2022. Wow!

Pra, ata thjesht s’po nxehen më fare. Një pjesë thjesht po qëndron në të ftohtë. E ndoshta, po mbulohet përnjëmend me batanije siç rekomandonte kryeministri.

T’i kthehemi për herë të fundit ajrit të ndotur brenda shtëpive.

Institucionet e Kosovës vazhdojnë me qenë të pashqetësuara për këtë problem. Asnjë fjalë e vetme nuk ishte për këtë çështje as në Raportin e Institutit që e përfolëm. Ndërsa, ajri i ndotur brenda shtëpive nuk është as pjesë e fjalorit të Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.

Pra, as nuk ka kampanja vetëdijësuese për qytetarët që të paktën të informohen për rreziqet alarmante. Në vend të kësaj, në kampanjat vetëdijësuese për energji, ministrja na rekomandonte me i hjekë joystickët e Playstation prej rryme.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

00:13:08
00:08:02

Problemi i madh i Vjosa Osmanit