Shteti ta paguan një drejtim 23 euro me tren në Kosovë

VIDEOShteti ta paguan një drejtim 23 euro me tren në Kosovë

Këqyreni këtë tren. Nuk ka logjikë. Nuk ka kuptim. E ndoshta asnjë arsye të vetme për me ekzistu.

E megjithatë… përvoja që ta ofron është… hmm, s’po themi e bukur por… ndoshta përçudshëm e bukur.

Dhe… jo  veç  shkaku i këtyre peizazheve mahnitëse të fshatrave që i sheh përmes xhamave ibret.

Por, edhe shkaku i krejt atij disfunksionaliteti. Kjo hekurudhë është metafora më e mirë për Kosovën: e bukur prej larg, por sapo afrohet dhe e çelë gojën… bezdisshëm e rehatshme në disfunksionalitetin e saj.

S’e kupton ps e ky tren vazhdon me punu kur s’ka pasagjerë. Ama, të vjen mirë që ende punon. S’e kupton pse s’ka investime të reja – pse s’i ndreqin xhamat e thymë prej fëmijëve që e gjuajnë me gurë, pse ata fëmijë gjuajnë me gurë (më shpejt), pse s’e hjekin pluhnin, dhe pse punëtorët i kanë ato çehre të mërzisë. Fundja, vitin e kaluar rrogat e tyre u rritën për 30 euro pas 15 vitesh mosrritje. Urra!

Pra, kjo hekurudhë ekziston si një “after thought” në politikën e Kosovës. Si diçka që të bezdisë kur e sheh bash sepse s’ke çka me mendu për të. Është i bllokumë përjetësisht në dilemën e përjetshme hamletiane: “të jesh a të mos jesh?” Dhe as është e as s’është. Edhe është, edhe s’është. Askush s’e di a me investu e funksionalizu seriozisht apo me mbyllë krejt.

E, i mbërthyer në atë pavendosmëri e përbuzje… treni ecë para. Dhe paratë e shtetit tonë të varfër i djegim pa dhimtë.

Nëse e sheh prej jashtë, të duket sikur i vjen era Jugosllavi. Dhe ndoshta prandaj përbuzet? S’është ashtu. Harrojeni. Këqyrni këta vagona. I kemi ble prej Suedisë. Lokomotiva që po na ngrehë e ka nofkën “Kennedy”. Është prodhu në Amerikë në vitet ’60 kur u vra presidenti Kennedy. Pra, s’ka Jugosllavi këtu. Përveç faktit që ndërmarrja operon me humbje qysh operonin ndërmarrjet në Jugosllavi. Dhe stacioneve të prishta që iu vjen era shurrë.

Kjo linjë për Pejë është e vetmja aktive për pasagjerë që ka mbetë. Mirëpo, nëse e merrni trenin dhe mendoni me u kthy po atë ditë… duhet me qëndru veç një orë. Ose me pritë deri të nesërmen për me u kthy. Pra, është e pamundur me e mendu trenin nëse s’je turist. Jeta dinamike. Treni jo.

Këqyreni këtë raport të vitit 2024. Përgjatë krejt vitit kanë udhëtu 68 mijë pasagjerë. Pra, nga 188 në ditë. Sa i merr një taksi i vetëm 1-sh ilegal Fushë Kosovë-Prishtinë. Dhe, prej këtyre 68 mijë udhëtarëve janë nxjerrë veç 59 mijë euro në bileta të shitura. 90 centë mesatarisht një biletë. Qysh po mbahet në këmbë, atëherë kjo ndërmarrje? Prej pareve tona, natyrisht. Shteti ia dha 1.6 milionë euro Trainkosit. Dhe, mbajeni frymën: kjo nënkupton se ia dha nga 23 euro për secilin udhëtar të atij viti. Për secilin udhëtim.

Kjo rrugë që e bëra unë, mua më kushtoi 6 euro me shku e me u kthy. Por, me ato 6 eurot e mia treni s’kish ecë as 10 metra. Shteti ma pagoi rrugën me shku 23 euro dhe me u kthy 23 euro. Pra, 46 euro i kushtoi shtetit ai (ky) udhëtim.

Mirëpo, mund të bëjmë krahasim edhe për ata që udhëtonin prej Kline në Pejë. Ose prej Drenasi. 1 euro bileta. Por, shteti edhe për ata i jep nga 46 euro në bazë të këtij kalkulimi. Respekt për shtetin? Respekt.

Nuk jemi kundër hekurudhës. Në fakt jemi PRO! Jemi që të luftohet sa të mundet kultura e kerrit që po na i prishë mushkëritë, mendjen, natyrën e gjithçka në këtë vend të bukur e të vogël. Por, nuk ecë kështu. As andej, as këndej. Gojë-mjalt’ e udhë-hekur, syrgjyn-gjall e syrgjyn-vdekur, ky Vigan Absurdator. Duhet ose andej: pra, investime serioze e të mëdha për me funksionalizu trenin si alternativë. Ose, me e mbyllë.

Nejse, shijoni këto pamje!

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

00:13:08
00:08:02

Problemi i madh i Vjosa Osmanit

00:13:46

Kosova nuk ishte kështu