Opera e Kosovës sjell në Prishtinë diptikun e Puccinit, premiera më 1 korrik

Pa lidhjeOpera e Kosovës sjell në Prishtinë diptikun e Puccinit, premiera më 1 korrik

Opera e Kosovës do të ngjisë në skenë një nga krijimet më të veçanta të repertorit operistik botëror, duke prezantuar “Diptikun” operistik të Giacomo Puccinit, një cikël të përbërë nga dy opera në një akt: Suor Angelica dhe Gianni Schicchi, me librete të Giovacchino Forzano.

Ky produksion vjen si një interpretim i konceptit origjinal të Puccinit, i cili i kishte menduar këto vepra si pjesë të një tërësie dramaturgjike. Premiera botërore e këtij cikli u mbajt më 14 dhjetor 1918 në Metropolitan Opera në New York, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e operës.

Produksioni i Operës së Kosovës realizohet nën regjinë e Luca Ramacciotti, nën drejtimin muzikor skenik nga Elisa Montipò dhe me koordinim artistik nga Franco Moretti, emra të njohur të skenës operistike evropiane.

Në interpretim do të paraqiten Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, të cilët do të performojnë nën drejtimin e Maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli, duke sjellë para publikut një përvojë artistike që bashkon dramën lirike të Suor Angelica me komedinë brilante Gianni Schicchi.

Shfaqjet e “Diptikut” përfshijnë të dy operat në një akt, të realizuara si një njësi e vetme dramaturgjike, duke respektuar vizionin artistik të Puccinit dhe duke i ofruar publikut një kontrast të fuqishëm emocional mes tragjedisë dhe komedisë.

Premiera do të mbahet më 1 korrik, ndërsa rishfaqja më 3 korrik, në AMC Hall, duke filluar nga ora 20:00.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: