Në Shqipëri edhe kamarierët aziatikë po duken si kamarierët çehrengrysur shqiptarë

MendimNë Shqipëri edhe kamarierët aziatikë po duken si kamarierët çehrengrysur shqiptarë

Një përshtypje e shkurtër mbi një pushim të shkurtër nga Shqipëria. Qysh mund të jetë një vend kaq i bukur dhe po kaq i shëmtuar në të njëjtën kohë?

I. Pjata

E han një pjatë me pasta dhe ashtu duke u përtypë mërdhezesh prej inati sepse po të fyhet dinjiteti. Shija është e keqe. Aq e keqe sa edhe dikush si unë, që s’qet kanun për asgjë dhe e përlan çdo ushqimi që i del para, e kupton që s’është puna mirë.

Hiqju shijes. Çështja është thjesht me u ngi. Mirëpo, shansa s’ka. Në pjatë ka aq pak sa s’dalin as për një fëmijë tre-katër vjeç.

Pse e mora atëherë? Sepse isha e lodhur pas një rruge të gjatë. Dhe sepse s’është që pres shumë nga Shqipëria, ashtu-kështu. E pashë se është shtrenjtë por thashë hajt se të paktën më nginë. E di që ka 50% shansa me u ngulë, më vjen keq, por shpresoj që ngulem me karar. Epo, jo. Ngulesh ndonjëherë aq shumë sa çdo gajle tjetër e jetës të pauzon në mendje, dhe fillon me punu veç poshtërimi.

E duron zhegun. Vonesën e kamarierëve. Çehren e tyre. Moskuptimin. Vonesën tjetër. Porosinë gjysmake. Urinë që s’kalon. Shishen e ujit që s’ta sjellin kurrë. Faturën. Çdo dakik është me rrezik që ai durim me u thy copë copë. Por, duron. E kujton Ibrahim Rugovën dhe duron. Është shndërru tashmë në një ritual. Duron. Rruga tjetër është shpërthimi. Përplasja me ata që ndoshta s’kanë pikë faji. Punëtorët.

II. Skulptori

Disa kamariere janë nga Azia. Nuk dinë anglisht, e as shqip natyrisht, por të vijnë te tavolina. S’të marrin vesh asgjë por e tundin kryet sikur po kuptojnë. Ndihmon veç gjuha e shenjave. Dhe ajo çka të habitë është se ato gra që i sheh gjithkah tjetër të mirësjellshme këtu janë ‘shqiptarizuar’ në sensin ngushtësisht gastronomik. Duken tamam si ata kamarierët e trishtë shqiptarë që i zatet kahmos prej jugut e në veri të Shqipërisë. Dikur thuhej se Shqipëria s’kishte traditë të gastronomisë. S’ishte puna aty hiç. Ata ishin thjesht të shtypur. Dhe që tash ikën prej Shqipërisë dhe paragjykohen e shahen prej britanikëve ksenofobë [Link 1, Link 2, Link 3, Link 4, Link 5]. Qysh është e mundur që këta punëtorë aziatikë të duken aq të ngjashëm, aq trishtueshëm të ngjashëm, me punëtorët e zëvendësuar shqiptarë? Aq të ngjashëm sa raca të mos peshojë një gram në dukjen e tyre? Me sa duket, shtypja që iu bëhet është aq vulgare e aq banale sa ka fuqi transformuese fizionomike. Shefi i tyre shqiptar është aq toksik, aq fëmijërisht toksik me yxhymin për me nxjerrë menjëherë investimin, e më pas menjëherë një Mercedes të tipit më të ri, sa ua skulpturon të njëjtin surrat të gjithëve. Shqiptar. Nepalez. Kosovar. Turk. Ganez. Vjetnamez. Të gjithë njëjtë, me mrrolat karakteristike që iu bëhen tiparet më të shqueshme.

Kur këta shefa e fyejnë aq hapur dinjitetin e atyre që iu marrin pare, klientëve, veç imagjinoni sa munden me fy dinjitetin e atyre që iu japin pare, punëtorëve.

Në një artikull të një gazete në Shqipëri tregohej se gjatë vitit 2025 ishin bërë 130 denoncime nga punëtorët me origjinë të huaj për kushtet e punës.

 “Punëtorët e huaj përballen gjithashtu me rekrutime mashtruese, praktika të pandershme të punës si dhe me detyrimin për të kryer punë të ndryshme nga ato për të cilat janë rekrutuar – abuzime të cilat lehtësohen nga mungesa e veprimit të autoriteteve të policisë dhe emigracionit.” – shkruhej mes tjerash.

Ku je? Ndodhesh në një prej fshatrave të Potemkinit. Restoranti bëhet sikur është restorant sepse në fakt është një teatër i vocërr ku të shfaqet loja me lakmi e frustrim e një fëmije të ngujuar në shpirtin e pronarit.

E sheh një përplasje mes një pronari dhe turistëve të huaj në rrjete sociale. Po i shan. Po provon t’i sulmojë fizikisht. Ka njerëz që s’munden me duru. Ndodhin këto. Ndodhnin edhe këto. Pronari kacavirret e sulmon mbi veturën e turistëve tjerë të huaj.

Sa e sa hotele e restorante e kafeteri të tilla si ky i kësaj pjate i ka Shqipëria. Nga pushimet që i bëj tash e njëzet vjet e kusur mund ta them se ndoshta një e treta. Thelbi i ekzistencës së këtyre vendeve, që është lakmia gjigante e pronarit, të ekspozohet gjithandej banalisht.

III. Pjata tjetër

Më vonë kur çlodhesh shkon pak më andej në një restorant tjetër. Nuk je më aq e shkujdesshme. Lexon review-të. Sheh çmimet. Ulesh. Nuk është se nuk dyshon. Por, s’ke çka bën. Je në pushime, në fund të fundit. Shqipëria kështu ka qenë, është dhe do të bëhet. E sheh një kamarier shqiptar. Qëllon i sjellshëm. Të respekton. Ta sjellë porosinë me kohë. Çmimet janë ndjeshëm më të ulëta. Ndërsa, ushqimi është miliona herë më i shijshëm. Dhe ndoshta deri në tri herë më i vëllimshëm. E pyet veten: qysh është e mundur me pasë dallim kaq të madh në kaq pak kilometra largësi?

Më pas sheh restorante tjera. Në shumicën prej tyre nuk ulet kush. Në pak tjera janë tubu të gjithë. Dhe e kupton pse. Të parat janë aq banalisht luksoze e aq banalisht zhvatëse sa t’i çojnë gërditë. Të dytat janë thjesht funksionale. Sheh në këto të fundit edhe punëtorë tjerë aziatikë. Kësaj here ata janë po aq çiltërsisht dashamirës e të njerëzishëm sa të kujtojnë gjithë ata shqiptarë nga Shqipëria e Kosova me obsesionin e fortë për mikpritje. Një mikpritje e bujari karakteristike për popujt e shtypur e të përvuajtur që sa më shumë iu trashej zullumi aq më shumë prireshin me shfaqë bujarinë e dashamirësinë. Ndoshta me tregu që atë luftën e brendshme për shpirtin e tyre s’mund ta fitonte kurrë e keqja. E megjithatë, në këto rrethana të egra të kapitalizmit herë pas here e fitonte. Mrrolat karakteristikë të kamarierëve ‘shqiptarë’ te kamarierët aziatikë në Shqipëri ishin prova. Shpirti thyhej. Bëhej copë-copë. E megjithatë… me raste nuk bëhej. E megjithatë… bëhej.

Në një anë bukuri përrallore të natyrës dhe në tjetrën të shtrira dosido mbi to një grumbull i pafund shëmtish njerëzore. Në një anë shpirta të bërë copë-copë. E në tjetrën, disa tjerë. Në një anë pjata që të poshtërojnë. Në tjetrën disa tjera që të ngijnë.

Si dikush që nuk beson në dikotominë abrahamike mes të mirës dhe të keqes, është përherë e vështirë me e kuptimësu atë tablo ekstremesh të kundërta në Shqipëri. Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta etj. në një anë. Dhe, në tjetrën anë… s’ka tjetër anë.

Kaq. S’po themi më shumë se s’ia vlen.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: