NATO planifikon ulje, Kroacia planifikon rritje të numrit të ushtarëve në KFOR

RRJEDHJENATO planifikon ulje, Kroacia planifikon rritje të numrit të ushtarëve në KFOR

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, në një konferencë për media në Ankara ka deklaruar se vendi i tij po planifikon që të rris numrin e ushtarëve në misionin e KFOR-it në Kosovë.

“Ne planifikojmë ta rrisim numrin e ushtarëve kroatë në 200, siç na lejon vendimi i Parlamentit të Kroacisë,”  – u shpreh ai.

Muajin e kaluar ishte bërë e ditur se NATO e kishte ndërmend të reduktonte praninë në Kosovë për shkak të “përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.”

Në anën tjetër, Anushiq tha se besonte se stabiliteti i Evropës Juglindore mbetej një nga çështjet kryesore të sigurisë.

“Unë gjithmonë theksoj rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që NATO të ruajë një prani të fortë në rajon,”  – argumentoi Anushiq për këtë çështje.

Vitin e kaluar, Kroacia kishte nënshkruar një deklaratë në Tiranë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kosovën. Ajo kishte nxitur reagime të ashpra në Serbi, duke e cilësuar si “provokim të hapur”.

Kroacia ka qenë një ndër vendet më miqësore me Kosovën në rajon, duke kontribuar përveç aspektit të mbrojtjes edhe në lobim për njohje të reja, mbështetje të integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ka mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: