Tamli – aka qumështi – i Devollëve ishte kryetema kombëtare në Kosovë tash e një javë ditë.
Mbrëmë ky tamël mori zemër aq shumë sa e qiti në lajthitje krejt aparatin mediatik që po i ndihmon. Tamli, hej tamli, tha se e kishte një lajm “ekskluziv” [ekskluziv në raport me kë, bre dreqi e marrtë?].
A duhet të japë dorëheqje Edi Rama?
“Ekskluzive: Dalin rezultatet e AUV – Vita 100% qumësht” – ishte titulli.
E shpërndanë portalet nën ndikimin e këtij tamli. Filluar prej vëllait të madh të tij, mediumit Klan Kosova.
“Dalin rezultatet, Vita: 100% qumësht” – tha.
Pati edhe kronikë televizive.
Në rrjete sociale pati edhe ngërdheshje, satirë, cinizëm e opinione për këtë fitore me nokaut (knockout) klasik të tamlit ndaj Kurtit.
Po luhej ndeshja mes Spanjës dhe Portugalisë në Kupën e Botës. RTK-ja po e transmetonte reprizën e Festivalit të Këngës. S’kishte vend në shesh para ekranit të madh. As nëpër kafeteri. Askund. Tamli kishte fitu ndaj Kurtit, tash topin e kishte Ronaldo ndaj Spanjës.
Por, derisa ajo lojë e keqe futbolli po luhej doli lajmi tjetër. ‘Ekskluzivja’ e tamlit kishte qenë një shtrembërim, një lajthitje. Po në ato fotografi të Vitës merrej vesh se kishim të bënim me një inspektim të muajit prill, e jo me këtë të fundit në korrik. S’ishin rezultatet për të cilat i ka zgjatë veshtë krejt Kosova.
“Tamlin e nanës!” – thotë kënga e Jerichos, me vargje të Ali Podrimjes. Ne s’po themi.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës iu reagoi portaleve duke i demantu. E tamli, hej tamli, i bëri koment në Facebook duke u çuditë për demantimin. Sikur s’po e kuptonte që lajmi i dhënë prej saj, ‘ekskluziviteti’ i saj, ishte lajthitës. Dhe se portalet ishin ngulë.
Dhe kështu morën kuptim krejt ato reagime të çuditshme të tamlit në televizion e nëpër portale. Mori kuptim mbyllja që ia bëri vetes me një paqartësi që provonte me ndërtu idenë sikur po mbylleshin prej Kurtit. Mori kuptim ai budallallëk që i bëri edhe dashamirësit me e pa tamlin fajtor pa e kuptu mirë as se për çka akuzohej.
Dhe kur e mendon gjithçka pat nisë mirë për tamlin në betejën publike. Inspektimit të fundit përnjëmend i vinte erë e keqe. Prania e këshilltarëve politikë të ministrit dhe militantëve të VV-së ishte domethënëse. E megjithatë, tamli reagoi aq emocionalisht sa e djegu edhe veten por edhe aleatët e tij.
Tash, tamli ndoshta del në rregull sa i përket cilësisë. 100% qumësht, siç tha në ekskluzivitetin e rremë të saj. Por, kush i beson një tamli që nxehet kaq shpejt dhe sillet kaq çuditshëm?