Ka filluar cikli i ri i takimeve mes liderëve të partive parlamentare. Përsëri me ftesat nga Kurti. Përsëri në frymë ‘konstruktive’. Përsëri me liderët e PDK-së dhe LDK-së që shkojnë ngurrueshëm në takim. Dhe përsëri pa pikën e transparencës.
Lexojini me kujdes rreshtat e mëposhtëm që i tha Kurti duke provuar ta shtyente kohën para gazetarëve:
“Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë gjatë dimrit sivjet, asnjëherë në pranverë e ishte hera e parë në këtë verë…”
Fjali shumë domethënëse, apo jo?
Asgjë për emrat e kandidatëve për president. Asgjë për kriteret. Asgjë për formulën e arritjes së konsensusit.
E megjithatë, Kurti vazhdoi me optimizëm të lartë. Shprehu shpresë se do t’i mblidhte 93 deputetë bashkë me PDK-në dhe LDK-në. Jo 80. As 81.
“… të shohim se si tri subjektet e mëdha [VV, PDK, LDK] t’i mbledhim me shpejtësi 93 deputetë, kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të…”
Po të mos i jetonim këto dy vitet e fundit të krizës politike në Kosovë, ndoshta mund ta konsideronim si deklaratë serioze. Por, jo.
Optimizmin e Kurtit për ‘shpejtësi’ e për ‘sasi’ nuk e ndau Bedri Hamza.
Ai tha se “PDK në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit,”
E gatshme? 😛 E çka do të ndodhte sikur të mos ishte e gatshme për opozitë?
Pra, asnjë informacion i rëndësishëm për qytetarët as prej njërit as prej tjetrit. Tallje. Cila është arsyeja që ndalesh para gazetarëve për të dhënë prononcim kur s’ke asgjë për të thënë?!
Më vonë gjatë ditës së sotme [10 korrik ‘26] Kurti do ta takojë edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Tallja vazhdon.