Nëse e kishe marrë një njeri nga koha e Skënderbeut dhe e sjellë këtu mes nesh, atëherë ai do të pësonte tronditje kulturore. Mirëpo, sipas një studimi të fundit, edhe ne po e përjetojmë një tronditje të ngjashme edhe pse nuk po e vërejmë.
Dhe jo sepse bota ka ndryshu tepër shumë. Por, shkaku se truri ynë nuk ka ndryshu thuajse fare.
Për qindra mijëra vjet njerëzit kanë jetu në grupe të vogla. Me pak njerëz përreth. Pak informacion. Dhe me kërcënime konkrete: një grabitqar, një armik, mungesë ushqimi.
Sot zgjohemi dhe brenda pesë minutash mësojmë për luftimet në Ukrainë, bombardimet në Gazë, një aksident në Rrugën e Kombit, krizën ekonomike në ShBA, kaosin në LDK, e kështu me radhë.
Truri nuk evuloi për këtë gjë.
Truri që s’pushon kurrë
Shumë njerëz mendojnë se lodhja vjen prej pune.
Mirëpo, një pjesë e mirë e lodhjes moderne nuk vjen prej punës fizike. Ajo vjen ng përpunimi i pandërprerë i informacionit.
Çdo njoftim, video, lajm, status në rrjete sociale kërkon një vendim të vockël: me e çelë a mos me e çelë? Me e lexu apo jo? Ka rëndësi apo jo?
Mijëra vendime të këtilla të vockla e krijojnë një barrë të madhe mendore.
Psikologët këtë e quajnë “mbingarkesë kognitive” (cognitive overload). Kur informacioni bëhet më i madh se kapaciteti ynë për me përpunu, ne nuk bëhemi më të informuar. Përkundrazi, bëhemi më të lodhur e kësisoji më pak të aftë për me u përqendru.
Evolucioni ecë më ngadalë se shpejtësia e Internetit
Interneti u bë pjesë e jetës tonë vetëm pak dekada më parë. Rrjetet sociale janë edhe më të reja. Ndërkohë që evolucioni biologjik ka nevojë për dhjetëra mijëra vjet për me i prodhu ndryshimet e rëndësishme.
Teknologjia po ndryshon çdo muaj. Por, truri ynë ecën ende sipas ritmit që e kishte në epokën e gurit.
Kjo mospërputhje, sipas studiuesve, mund të jetë një prej shpjegimeve për rritjen e stresit, ankthit, ndjenjës së vetmisë dhe krahasimit të vazhdueshëm me të tjerët.
S’është puna veç te telefoni
Problemi është më i madh.
Asnjëherë në historinë njerëzore një njeri nuk ka qenë aq i ekspozuar ndaj kaq shumë njerëzve, mendimeve, kaq shumë krizave dhe kaq shumë krahasimeve sociale.
Një koment negativ që dikur kishin me dëgju pesë veta në një fshat, sot mund ta lexojnë miliona njerëz.
Një tragjedi që dikur mbetej lokale, sot na shfaqet në ekranat e çdo telefoni.
Truri ynë nuk di me dallu gjithmonë nëse kërcënimi është pesë metra larg apo pesë mijë kilometra larg.
Paradoksi i kohës tonë
Asnjë brez nuk ka pasë qasje në kaq shumë dije.
Por, rrallë ka qenë kaq zor me mendu gjatë për një ide të vetme.
Paradoksi i kohës tonë është se kemi fitu pothuajse krejt informacionin e botës. Mirëpo, s’po kemi vëmendjen e uhur me kuptu atë që duhet me kuptu.
Ndoshta problemi nuk është se jemi më pak inteligjentë. Ndoshta thjesht po përpiqemi me detyru një tru të epokës ës gurit me jetu në një botë që ndryshon çdo sekondë.