Dëshpërimi i ri zgjedhor dhe dëshpërimet e vjetra me shoqi-shoqin e futën LDK-në në një rrugë që dihet ku çon: Theqafje [fjala e preferuar e kryetar Abdixhikut].
Tashmë ka mbledhje nënshkrimesh. Ka lëvizje të çuditshme prej njerëzve të çuditshëm. Lëvizje që s’e vënë në pikëpyetje veç kryetarllëkun e Lumir Abdixhikut por edhe strukturat që i ndërtoi këto pesë vjet. Dhe e vënë në pikëpyetje vet ekzistencën e LDK-së.
A duhet të japë dorëheqje Edi Rama?
Krejt kjo përpjekje u nis prej degës në Pejë. Gazmend Muhaxherit. Prej kah buroi gjithë ajo pakënaqësi e këtij individi që s’është se e bëri namin me numra për LDK-në në komunën që e drejton?! Ose edhe pakënaqësia e kryetarit të Lipjanit?! Ose [ndoshta] edhe e kryetarit të Prishtinës?! Por, jo veç e këtyre. Ku e ka burimin pakënaqësia e Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Driton Selmanajt, Armend Zemajt?!
Burimi nuk është dhe nuk mund të jetë te rezultati i LDK-së në raport me Kurtin. Burimi i pakënaqësisë është egoja personale.
Në anën tjetër është e vështirë me u mbrojtë Lumir Abdixhiku.
Në një intervistë në Rubikon më 25 qershor ishte krejt i çakërdisur. Herë i shante tërthorazi kundërshtarët e tij partiakë, herë i shante direkt kur nxehej më shumë, e herë i merrte me të mirë kur qetësohej.
“Osht dashtë me i mbulu marret e tyne. S’kam asnjë fjalë të keqe. Kam hi n’zjarr për ta.” [1:11:29]
Dukej qartë se po i niste fjalitë pa e ditë se si do të mbaronin ato.
“Nganjëherë ia nisi një fjalie dhe hiç nuk e di se qysh ka me përfundu. Veç shpresoj se e zbuloj rrugës.” – Michael Scott, The Office.

Ky është joseriozitet i sikletshëm prej një kryetari partie. Ashtu siç ishte edhe sulmi i ashpër dhe emocional ndaj disa mediave. Ose falenderimi i votuesve nëpër komuna pas zgjedhjeve. Ose edhe mbrojtja që iu bë rezultatit të dyshimtë në diasporë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Mirëpo, a ka në LDK diçka më të mirë përveç Abdixhikut?!
Në vendin ku sot bëhet kuvendi – rrjete sociale – aktivitetin e përditshëm politik e shohim vetëm nga të rinjtë e rekrutuar viteve të fundit nga Abdixhiku. Betejat e ashpra digjitale politike me pushtetin – më të rëndësishmet në demokracinë tonë të vogël – për LDK-në i bëjnë vetëm këta njerëz. Të gjithë të pakënaqurit tjerë janë pasivë. Shkruajnë statuse në stil komunikatash shtypi dhe pastaj ia fusin gjumë me javë të tëra. Njëjtë si PDK-ja.
Por, LDK-ja doli e treta qe tri herë? – mund të kundërshtojë dikush.
Është e vërtetë. Mirëpo, PDK-ja e ka një mal me përparësi ndaj LDK-së. PDK-ja vazhdon të ketë bastione, votë me karakter rajonal, votë për liderët në Hagë, votë për trashëgiminë e UÇK-së. Kjo parti nuk i fillon zgjedhjet prej zeros qysh i fillon LDK-ja.
Dhe kryepyetja këtu është: cili mund të jetë kryetar më i mirë për LDK-në se Abdixhiku?
Të pakënaqurit brenda LDK-së duhet me pa mirë e mirë PDK-në. Gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet. Mungesën e guximit, ideve, aktiviteteve, opozitarizmit. As në LDK-në e Abdixhikut s’ka kushedi sa guxim, ide, aktivitete e opozitarizëm. E megjithatë ka më shumë se në PDK.
Ta marrim një shembull. Vjosa Osmani u rikthye në LDK. I mori edhe disa figura tjera nga VV-ja me vete. E megjithatë, figura me peshë si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami e të ngjashëm vazhdojnë me pasë inate personale në raport me të. Qysh e ka prioritet rehatimin e egos së vet dikush që mendon se vendi po i rrezikohet prej autoritarizmit?! Kjo është tepër dëshpëruese.
A s’do të ishte më e mirë një nismë e cila ndërton platformë dialogu që nuk bën thjesht ndërrim karrigesh por ndërrim strategjish e idesh për ballafaqim me pushtetin?!
Ajo çka na thonë zhvillimet e fundit në LDK [por edhe PDK e AAK] është se rreziku pluralizmit politik në Kosovë dhe demokracisë nuk i vjen veç prej prirjeve autoritare të Kurtit. Por, edhe prej prirjeve vetëshkatërruese të opozitarëve.