Kur lexon e dëgjon aq shumë rrëfime nga skaje të ndryshme të botës për fatet njerëzore nën mizoritë e diktaturave e ke të zorshme me bashkëndje gjithmonë. Dikur ndjeshmëria mpihet. Të vjen keq. Por, të vjen aq pak keq sa fillon me të ardhë shumë keq për veten. S’ke çka bën.
Mirëpo, kur rrëfimet janë aq të gjalla e të egra si ato të Fatos Lubonjës te “Jetë Burgu” atëherë mbresohesh si një fëmijë.
Pak libra në shqip më kanë lënë më shumë përshtypje sa ky në vitet e fundit. Dhe ky shkrim përbën një përpjekje për me kuptu pse.
Lubonja si rrëfyes kryesor e heqë prej rruge shpesh Lubonjën si personazh që ndodhej në burgjet shqiptare. I pari dhe i dyti nuk janë bash bash i njëjti, edhe nëse ky s’ka qenë qëllimi i teknikës rrëfyese. I pari na i thotë përjetimet e tij në fillim e në fund. Flet në emër të të dyve. Por, i dyti ndodhet aq larg në kohë, në rrethana, sa merr vetiu jetë të veten gjatë marrëdhënieve me personazhet tjera. Marrëdhënie, në rastin më të mirë, rreptësisht funksionale. Autori rrallë flet për historinë e tij dhe rrallë e hiç për ndodhitë e mundimet e tij si i burgosur aq sa ta çon mallin e Goriançikovit te Shënime nga Shtëpia e të Vdekurve. Është një kamerë që lëviz prej njërit personazh te tjetri, prej një hapësire burgu në tjetrën, prej njërit burg te tjetri, prej njërit vit te tjetri. Dhe synimi është të thuhet me sa më ftohtësi që mund të thuhet secila ngjarje, sado e vrazhdë e traumatike të jetë.
Gjysma e personazheve janë aq surreale sa s’ta mbushin syrin se i përkasin kësaj bote. Në përballje me rrethanat surreale të burgut ata janë bërë vetë surrealë. Në pamje, në mendje, në shpirt.
Ata jetojnë në trillet e mendjeve të tyre dhe i detyrojnë edhe të burgosurit tjerë të futen brenda [ose të paktën të bëhen sikur]. Por, ndonjëherë këto botë-trille janë aq të ndryshme sa përplasen me njëra-tjetrën, thyhen e bëhen copë-copë. Njëri bëhet profet i amnistisë. Ndërton sistem interpretimi që i shërben thjesht dhe vetëm përfundimit se aministia po vinte. Trilli i tij bën për vete edhe disa të burgosur tjerë dhe kësisoji krijohet një realitet përfundi realitetit të ashpër të burgut. Një tjetër bëhet sikur është australian dhe i shan kah të sillet shqiptarët si rod i keq. I njëjti çalon për vite me radhë edhe pse këmbën e kishte shëndosh e mirë qysh merret vesh më vonë. Personazhi i parë në këtë libër na shfaqet si një rob i shtypjes së gjatë seksuale që e çon në akte perverse e në shfaqje perverse para të burgosurve tjerë. Njëri prej të burgosurve është edhe vrasës serik i akulltë por edhe një dashurues i zjarrtë. Një tjetër kthehet papritmas në një besimtar të marrë të regjimit. E kështu me radhë.
Çka e frymëzon këtë qasje psikologjizuese të autorit? I bëhet sikur po futet në çmendinë shkaku i pamjes së të burgosurve: rrobave të tyre, kapuçave të përçudshëm, shikimet me sy të zhgapërruar. Dhe nuk mund të shkëputej nga ndjenja se ai vend ishte çmendinë edhe pasi afrimi me të burgosurit e bëri të dallonte se “brenda atyre kapuçave, kapotave dhe opingave që më ishin dukur aq të përçudnuara, gjallonin qenie njerëzore…” Nuk mund të shkëputej nga ndjenja se kishte qenë në çmendinë e jo në burg as derisa shkruante për ato personazhe. Dhe i shkruan duke i menduar si personazhe çmendine. Janë pamjet ato që e çojnë drejt asaj ndjenje dhe pamundësisë për shkëputje nga ajo ndjenjë. Dhe janë pamjet që e mbajnë aty gjithë kohën.
Ajo çka i rrënon shpirtërat e të burgosurve nuk janë domosdo kushtet e rënda materiale të burgut. Është më së shumti paperspektiva. Mungesa e shpresës se do të dalin prej aty, sidomos për ata që janë ridënuar. Dhe prandaj edhe gjithë ato absurditete brenda rrëfimeve tingëllojnë bindëse. Sepse sheh njerëz edhe sot – pa dashtë me i krahasu me ato personazhe burgu apo me ato rrethana të mundshme – që edhe në kushte lirie thyhen e përthyhen nga mungesa e perspektivës. I kaplon aq thellë ndjenja e ngulfatjes sa e sikterisin mendjen përgjithmonë nëpër përralla bira-bira pa kurrfarë domethëniesh. Njëri i kapet me aq fanatizëm një bindjeje për diçka të vogël e të parëndësishme sa ia dedikon krejt jetën. Të tjerë, ngjashëm si Eqeremi i këtij lbiri, e manifestojnë në forma të ndryshme shtypjen seksuale. Një tjetër rropatet me ide të përçudshme biznesi. Një edhe më tjetër i rreket rrugës së mashtrimit, dhunës. Shumë të tjerë thjesht janë dorëzu. Nuk presin asgjë, nuk merren me asgjë.
Këta rreshta të fundit nuk pasqyrojnë veç kujtimin e disa njerëzve realë në Kosovë që ma ngjallën disa prej personazheve të librit. Dhe ndjesinë e tmerrit që ai kujtim ma shkaktoi. Po ashtu pasqyrojnë se sa thellë mundet me i prekë ky rrëfim edhe njerëzit në rrethana krejt të tjera, ndonjëherë edhe krejt të pangjashme me ato të burgjeve të Shqipërisë. Dhe ndoshta jo vetëm shkaku i atij distancimi të autorit me veten si personazh, por edhe shkaku i mungesës së tonit të zakonshëm denoncues, moralizues e politik ndaj sistemit brutal.
Nëse nuk e keni lexu deri tash, lexojeni. Dhe nëse ke mendim ndryshe prej meje, më shkruaj lirisht.