LDK – Nganjëherë ia nisi një fjalie por hiç s’e di kah shkon ajo

MendimLDK - Nganjëherë ia nisi një fjalie por hiç s'e di kah shkon ajo

Dëshpërimi i ri zgjedhor dhe dëshpërimet e vjetra me shoqi-shoqin e futën LDK-në në një rrugë që dihet ku çon: Theqafje [fjala e preferuar e kryetar Abdixhikut].

Tashmë ka mbledhje nënshkrimesh. Ka lëvizje të çuditshme prej njerëzve të çuditshëm. Lëvizje që s’e vënë në pikëpyetje veç kryetarllëkun e Lumir Abdixhikut por edhe strukturat që i ndërtoi këto pesë vjet. Dhe e vënë në pikëpyetje vet ekzistencën e LDK-së.

SONDAZH

A duhet të japë dorëheqje Edi Rama?

PO65%
JO35%
31 vota

Krejt kjo përpjekje u nis prej degës në Pejë. Gazmend Muhaxherit. Prej kah buroi gjithë ajo pakënaqësi e këtij individi që s’është se e bëri namin me numra për LDK-në në komunën që e drejton?! Ose edhe pakënaqësia e kryetarit të Lipjanit?! Ose [ndoshta] edhe e kryetarit të Prishtinës?! Por, jo veç e këtyre. Ku e ka burimin pakënaqësia e Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Driton Selmanajt, Armend Zemajt?!

Burimi nuk është dhe nuk mund të jetë te rezultati i LDK-së në raport me Kurtin. Burimi i pakënaqësisë është egoja personale.

Në anën tjetër është e vështirë me u mbrojtë Lumir Abdixhiku.

Në një intervistë në Rubikon më 25 qershor ishte krejt i çakërdisur. Herë i shante tërthorazi kundërshtarët e tij partiakë, herë i shante direkt kur nxehej më shumë, e herë i merrte me të mirë kur qetësohej.

“Osht dashtë me i mbulu marret e tyne. S’kam asnjë fjalë të keqe. Kam hi n’zjarr për ta.”  [1:11:29]

Dukej qartë se po i niste fjalitë pa e ditë se si do të mbaronin ato.

“Nganjëherë ia nisi një fjalie dhe hiç nuk e di se qysh ka me përfundu. Veç shpresoj se e zbuloj rrugës.”  – Michael Scott, The Office.

Ky është joseriozitet i sikletshëm prej një kryetari partie. Ashtu siç ishte edhe sulmi i ashpër dhe emocional ndaj disa mediave. Ose falenderimi i votuesve nëpër komuna pas zgjedhjeve. Ose edhe mbrojtja që iu bë rezultatit të dyshimtë në diasporë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Mirëpo, a ka në LDK diçka më të mirë përveç Abdixhikut?!

Në vendin ku sot bëhet kuvendi – rrjete sociale – aktivitetin e përditshëm politik e shohim vetëm nga të rinjtë e rekrutuar viteve të fundit nga Abdixhiku. Betejat e ashpra digjitale politike me pushtetin – më të rëndësishmet në demokracinë tonë të vogël – për LDK-në i bëjnë vetëm këta njerëz. Të gjithë të pakënaqurit tjerë janë pasivë. Shkruajnë statuse në stil komunikatash shtypi dhe pastaj ia fusin gjumë me javë të tëra. Njëjtë si PDK-ja.

Por, LDK-ja doli e treta qe tri herë?  – mund të kundërshtojë dikush.

Është e vërtetë. Mirëpo, PDK-ja e ka një mal me përparësi ndaj LDK-së. PDK-ja vazhdon të ketë bastione, votë me karakter rajonal, votë për liderët në Hagë, votë për trashëgiminë e UÇK-së. Kjo parti nuk i fillon zgjedhjet prej zeros qysh i fillon LDK-ja.

Dhe kryepyetja këtu është: cili mund të jetë kryetar më i mirë për LDK-në se Abdixhiku?

Të pakënaqurit brenda LDK-së duhet me pa mirë e mirë PDK-në. Gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet. Mungesën e guximit, ideve, aktiviteteve, opozitarizmit. As në LDK-në e Abdixhikut s’ka kushedi sa guxim, ide, aktivitete e opozitarizëm. E megjithatë ka më shumë se në PDK.

PDK-ja është MË RËNDË se që keni mendu

 

Ta marrim një shembull. Vjosa Osmani u rikthye në LDK. I mori edhe disa figura tjera nga VV-ja me vete. E megjithatë, figura me peshë si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami e të ngjashëm vazhdojnë me pasë inate personale në raport me të. Qysh e ka prioritet rehatimin e egos së vet dikush që mendon se vendi po i rrezikohet prej autoritarizmit?! Kjo është tepër dëshpëruese.

A s’do të ishte më e mirë një nismë e cila ndërton platformë dialogu që nuk bën thjesht ndërrim karrigesh por ndërrim strategjish e idesh për ballafaqim me pushtetin?!

Ajo çka na thonë zhvillimet e fundit në LDK [por edhe PDK e AAK] është se rreziku pluralizmit politik në Kosovë dhe demokracisë nuk i vjen veç prej prirjeve autoritare të Kurtit. Por, edhe prej prirjeve vetëshkatërruese të opozitarëve.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: